Plani për zonën “Qendra 2” është miratuar në Kuvendin Komunal të Prishtinës në vitin 2005 dhe asnjëherë nuk është rishikuar.
Plani është hartuar nga kompania “Urban Plus”. Njëri ndër pronarët e kësaj kompanie është edhe Ilir Gjinolli, mik i kryetarit Shpend Ahmetit.
Rruga e re, në formë të sheshit, të cilën Komuna e Prishtinës e prezantoi të premten, e që është përballë Katedrales është bërë në kundërshtim me planin rregullues, i cili është në fuqi për atë zonë.
Sipas planit, e gjithë ajo zonë ishte paraparë të jetë shëtitore dhe të mos ketë rrugë në të cilën do të lëviznin makinat.
Por ky plan nuk është zbatuar dhe andej aktualisht është lejuar që të lëvizin automjetet.
Megjithëkëtë, sipas planit të miratuar, përballë Katedrales nuk është dashur që të ketë lokale afariste, por hapësirë gjelbëruese.
“Pas punimeve infrastrukturore rruga ‘Perandori Justinian’ te Katedralja e ka marrë pamjen e një bulevardi”, ka njoftuar komuna e Prishtinës.
“Ky projekt i Drejtorisë për Investime Kapitale ka kushtuar 211 mijë euro, kurse kanë ngelur edhe disa detaje të vogla të plotësohen nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, sidomos caktimi i vendparkimeve të automjeteve dhe vendosja e shtyllave antiparking, që të sigurohet lëvizja e lirë e qytetarëve në trotuare”, ka njoftuar Komuna me një komunikatë për media.
Punët ishin paraparë të kryhen për 90 ditë, ndërkohë që ishin thyer të gjitha afatet kohore për përfundimin e tyre.
Kontrata në mes të Komunës së Prishtinës dhe kompanisë “Eing Com” është nënshkruan me datë 31. 08.2015 në vlerë prej 211,870.40 eurove.
Me datë 6.06.20416, Komuna dhe kompania punë punëkryese e kanë nënshkruar një tjetër kontratë, lidhur më disa punë shtesë që kishin dalë. Vlera e punëve shtesë ka qenë rreth 20 mijë euro.
Në këto link mund të shihini Planin rregullues “Qendra 2”, pjesa grafike dhe tekstuale:
https://kk.rksgov.net/prishtina/getattachment/Municipality/Departments/Urbanizem,Ndertim-dhe-Mbr-Mjedisit/Urbanizmi/Qendra-2/plani_rregullues-Qendra-II—Pjesa-Grafike.pdf.aspx
https://kk.rks-gov.net/prishtina/getattachment/Municipality/Departments/Urbanizem,Ndertim-dhe-Mbr-Mjedisit/Urbanizmi/Qendra-2/plani_rregullues-Qendra-II—Pjesa-Tekstuale.pdf.aspx

























