Shkruan: Zgjim Hyseni
Shoqëria civile në fillet e saj përkufizonte veten në dallim nga aparatet shtetërore. Është sfera private e shoqërisë si ndërveprimi i njerëzve jashtë hapësirës së familjes e shtetit; përkufizimi i privates nuk kishte arritur deri tek analiza e marrëdhënieve shoqërore. Shoqëria civile edhe më vonë konceptonte veten përkundër asaj militare.
Për të parë nëse Shoqëria Civile në Kosovë është së paku progresiste, apo një funksionare e thjeshtë që në nivel superstrukture mundëson riprodhimin e shtypjes e shfrytëzimit, duhet vlerësuar përmes dy elementëve: pozicioni politik në nivel të teorisë që mbajnë organizata, intelektualë, profesorë e eksponentë të tjerë, dhe në anën tjetër, marrëdhënia që kjo kategori ka me klasat shoqërore e forcat politike.
Për të analizuar elementin e parë do të marrim në shqyrtim disa nga frazat simptomatike, fraza që ripërtypen aq shpesh sa duket sikur janë ato (frazat) që flasin subjektet, dhe jo individët që i artikulojnë (frazat). Ja një që përsëritet rregullisht: “Nuk më intereson politika ditore”. Kur njeriu e dëgjon dhe e merr seriozisht bashkëbiseduesin tek vendos theksin tek shënjuesi kohë, do të duhej të rrudhte krahët e ulte kokën. Bashkëbiseduesit që kemi përballë nuk i intereson politika ditore. Do të pandehim se ai qenka i angazhuar për ndryshime radikale politike, për transformimin e shoqërisë. Nuk i intereson përditshmëria si aktualitet jodomethës, por shikon zhvillimet relevante për epokën tonë historike. Brenda “spitalit” postmodern gjetëm specien në zhdukje, dikë që i ka dhënë vetes qëllimin mesianik-ndryshimin e botës. Por, nuk është aspak kështu. Kjo shprehje është tipike për kuazi-intelektualë e profesorë në UP e jashtë tij, që përdorin shënjuesit emancipues për të ushqyer e siguruar një vend (skutë jashtë betejës politike) për egoizmin e tyre. Tek shkruante për trajtimin e letërsisë italiane ndaj të varfërve, Antonio Gramsci denonconte pa mëshirë qëndrimin aristokrat e patronizues mbi simpatinë dashamirëse ndaj popullit të thjeshtë që mbante shtypi i kohës. Atyre u duhet “populli injorant” sepse ndryshe s’kanë kujt i flasin. Ky qëndrim siguron hapësirën për pozicionin e privilegjuar kulturor. Atyre u duhet edhe përçmimi e “joserioziteti” i secilës përpjekje politike që s’qenka e denjë për ta sepse ndryshe s’kanë si e arsyetojnë oportunizmin e tyre. Kosovës i duhet intelektuali që synon zhdukjen e vetes sepse do emancipimin e popullit.
“Ne nuk jemi pjesë e lojës politike” thotë shprehja tjetër që vjen prej ekspertëve e analistëve.
Ky adresim përmban pohimin e nënkuptuar dhe mjaft problematik për përkufizimin e politikës si lojë ku secili nga agjentët synon realizimin e interesave egoiste. Pasi ka reduktuar e mbyllur politikën duke e identifikuar me interesin partikular, duke pasur krejt të vagullt përfytyrimin për të vërtetën e universalen, është vënë në kërkim të dëshpëruar për t’u identifikuar me një pozicion jashtë politikës, që në fakt është pozicion brenda dhe në funksion të hegjemonisë. Në vend të arratisjes nga politika, cilido që synon përparimin e shoqërisë duhet të marrë përsipër ripërkufizimin e vetë politikës duke e lidhur atë me interesin publik.
Por, cili është historiku i shoqërisë tonë civile që ka nxjerrë në sipërfaqe aq shumë pozitivistë e imazhistë, e fare pak dialekticienë. Përfundimi i luftës solli në Kosovë bashkë me UNMIK-un dhe fondet për rindërtim, qindra fondacione nga lindja e perëndimi, OJQ-të tona lindën bashkë me to. Në kundërshtim të plotë me këtë fakt, kemi mënyrën sesi e koncepton rolin e vet shoqëria jonë civile: përkundër shtetit që ka hierarkinë e tij nga lart-poshtë, shoqëria civile etablohet përmes supozimit të adresimit të problemeve nga poshtë. Është realiteti i “keqpërfaqësuar” ku gjen hapësirën veprimtaria e tyre. Në fakt, ato vetë kanë lindur nga interesat e donatorëve, dhe jo nga mungesa e evidentuar për të adresuar diçka nga struktura e shoqërisë. Por, me kalimin e kohës fondet po shtereshin. Kosova nuk është më nën vëmendjen ndërkombëtare si një vend “postkonfliktuoz”, por tash ajo ka Qeveri që shpërndan fonde, e ka ministra që mbledhin këshilltarë. Ky fakt përbën faktorin kryesor të pozicionimit të një pjese të mirë të analistëve e shumë organizatave nën sqetullën e Qeverisë. Ardhja e Qeverisë Thaçi në pushtet, përveç korrupsionit e brutalitetit, karakterizohet nga aftësia për të joshur e mbledhur rreth vetes në mënyrë klienteliste grupet e ndryshme shoqërore. Kjo gjë ka ndodhur edhe me Universitetin të Prishtinës. Atje u rritën pagat për t’u mbyllën gojat. Edhe pronarë mediash (me ndonjë përjashtim) privatë, apo televizioni publik tek klani Thaçi përfundojnë. Përfundimisht, as shoqëria civile nuk përbën përjashtim për kapjen e shtetit.
(Autori është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo kolumne është shkruar për gazetën Tribuna).
















