Një grup qytetarësh prishën mëngjesin e sotëm rrethimin e vendosur nga Bashkia e Tiranës në parkun e Liqenit Artificial, në vendin e menduar për ngritjen e një strukture që, sipas kryebashkiakut Veliaj, do të shërbejë për argëtimin e fëmijëve.
Shoqëria civile kundërshton prerjen e pemëve në park dhe ndërtimet brenda tij. Erion Veliaj deklaroi një ditë më parë, në një prononcim të bërë vetëm me kameran e bashkisë dhe të shpërndarë më pas nëpër redaksitë e lajmeve të disa mediave, se do të priteshin vetëm 3 pemë. Për të justifikuar prerjen e tyre ai tha se janë mbi 1 mijë pemë që duhen hequr për shkak se rrezikojnë qytetarët.
Qytetarët janë kundër këtij projekti edhe për faktin se dyshojnë se pas tij fshihen planet e Veliajt për të lejuar ndërtime në zonën e liqenit. Ata e akuzojnë Erion Veliajn se po pakëson hapësirat e gjelbërta në Tiranë.
Një ndër projektet për të cilët ai është vënë nën akuzë është edhe ai për ndërtimin e parkingut nëntokësor në parkun Rinia, që me vendim të bashkisë i është dhënë kompanisë “Taiwan”, të Besnik Sulës, një prej biznesmenëve pranë kryeministrit Rama.
Në protestën e sotme kundër prerjes së pemëve ra në sy mungesa e dy Artanëve, Lames dhe Shkrelit, të cilët me ardhjen në pushtet janë rehatuar nëpër zyrat e shtetit dhe nuk shihen më të ngrenë zërin kundër pakësimit të sipërfaqeve të gjelbërta, ashtu siç bënin kur PS ishte në opozitë, si në rastin e prerjes së disa pemëve për zgjerimin e rrugës së Elbasanit, ku ata dolën në rrugë tepër të irrituar si mbrojtës të mjedisit. /Lapsi.al




















