Gurë edhe kundër selisë së BDI-së në Çair – Policia paralajmëron arrestime të tjera, po studion videot
Protestat janë rikthyer sot në Shkup, ndonëse më të vogla në numër dhe të përqendruara vetëm në lagjet e shqiptarëve.
Ndërkohë që po rritet bilanci i të plagosurve të djeshëm, ndërsa pritet që policia të sqarojë sesa vetë ka arrestuar dhe pse.
Sot ka qenë edhe dita e vërshimeve të deklaratave politike, ndonëse nuk shihet sesi do të gjendet një zgjidhje për situatën. Autoritetet maqedonase janë të bindura se gjyqi ka qenë i drejtë, shqiptarët mendojnë që është manipuluar.
Objektiv i sulmeve dhe goditjeve me gurë sot ka qenë edhe selia e Bashkimit Demokratik për Integrim në lagjen Çair të Shkupit. BDI, partia e dalë nga UÇK-ja e luftës është pjesë e qeverisë dhe një pjesë e protestuesve e shohin po aq fajtore sa edhe qeverinë maqedonase për ngjarjet e fundit.
Në fakt, BDI vetë ka dalë me një deklaratë sot, ku thotë se mbështet protestat që zhvillohen në qetësi dhe se po punon për zgjidhjen e situatës mirëpo, dhuna e përdorur në rrugë në vend që ta ndihmojë kauzën është duke e dëmtuar atë.
Sipas medias shqiptare në Maqedoni, të rinjtë kanë bllokuar rrugët në zonën e Çairçanjës dhe më pas janë nisur drejt Komunës së Çairit, ku janë përleshur me policinë.
“Po jemi të irrituar nga aktgjykimi për rastin ‘Monstra’. Organet gjyqësore sillen në mënyrë fashiste ndaj ne, shqiptarëve. Ne jemi qytetarë lojal të këtij shteti, por me veprimet e veta, shteti nuk dëshmon se është lojal ndaj këtij populli, e theksoj ndaj popullatës shqiptare përderisa shqiptarët janë lojalë ndaj shtetit. Nëse vazhdohet kështu, Maqedonia, si shtet, mund të them se nuk ka ardhmëri, nuk i mbetet kurrfarë perspektive”, është shprehur për Radion Evropa e Lirë një nga protestuesit e së shtunës.
Ndonëse shqiptarët nuk kanë dalë sot në sheshet dhe rrugët kryesore ku ndodhen institucionet, shteti maqedon ka marrë të gjitha masat me prani të shtuar të forcave speciale policore.
Sipas MPB-së, numri i përgjithshëm i policëve që kanë marrë lëndime të lehta ka arritur në 27, ndërsa për protestuesit nuk ka informacione të sakta, sepse kanë pasur frikë që policia do t’i arrestojë në spitale. Shumë prej tyre mendohet se kanë kërkuar privatisht ndihmën e mjekëve shqiptarë.
Drejtori i Qendrës Klinike Urgjente tha për median se vetëm 5 të lënduar janë shtruar për kurim, prej të cilëve 3 policë dhe 2 protestues.
I pyetur për këtë nga televizioni Alsat M, zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski, nuk pranoi të prononcohet, duke u justifikuar se ende nuk janë identifikuar të gjithë protestuesit e arrestuar dhe të plagosur.
Por shtoi se ata që kanë ushtruar dhunë do të përballen me padi penale dhe se janë duke kërkuar edhe të tjerë që nuk janë arrestuar ende, por që janë në video duke u përleshur me policinë.
















