Do të vijë një kohë, në rast se nuk ka ardhur ende, kur Evertoni të pendohet për mirësjelljen e Dejvid Mojesit për të lënë të lirë një djalosh, i cili vite më pas do të bëhej një nga mbrojtësit më të mirë në Premier Ligë. Ishte viti 2012 kur Shkodran Mustafi shkoi për t’u takuar me Mojesin për t’i thënë se kishte ardhur koha që ai të lëvizte.
Kishte bërë vetëm një paraqitje si zëvendësues në Ligën e Europës që kur kishte ardhur nga Gjermania 17 vjeç. “Kisha edhe 6 muaj kontratë. Më ofruan rinovimin, por unë e kisha marrë vendimin tim”, tregon Mustafi për “DailyMail”. Por këtë verë Arsenali do të paguante 35 mln paund te Valencia për ta rikthyer në Premier Ligë kampionin e botës.
Djali i një punëtori rrugësh, Mustafi lindi dhe u rrit në Gjermani pasi gjyshi i tij emigroi nga Shqipëria pa asnjë qindarkë: “Ju duhet ta kuptoni kur njerëzit vijnë në Britani dhe Gjermani kanë pasur një jetë shumë të vështirë më përpara. Kur unë kthehem në Shqipëri, shoh 6-vjeçarë, të cilët nuk shkojnë në shkollë dhe duhet të punojnë. Duhet t’i kuptojmë këta njerëz”.






















