Nga Petrit Kuçana
Ra Kumanova dhe u pamë, ashtu sy për sy, të përlotur apo kurioz, të tmerruar madje edhe të befasuar.
Kumanova u shfaq më egër se ëndrra e keqe e 2001… marrëveshja e Ohrit e stër-përsëritur nga politikanë shqiptarë dhe blindat që vërshojnë në Kumanovë, shqiptarë që vriten…
Shumë kohë më parë u denoncua një skenar nga opozitarët maqedonas që u duke se u realizua pikë për pikë, por ne shqiptarët ishim në agoninë e deklaratave për bashkim kombëtar… dhe sërish nuk ditën nuk mundëm.
U rikujtuam për nenin numër tetë të kushtetutës së Shqipërisë, pra detyrimin kushtetues që shteti amë ka për të mbrojtur shqiptarët kudo që janë. Pamë një garë heshtjeje nga institucionet e shteteve shqiptare, që në më të mirën e rasteve dolën me ndonjë deklaratë që do të kishte kuptim po të ishte bërë nga ndonjë vend nordik ndërkohë që vazhdonte vrasja e shqiptarëve.
Më kot dhe krejt mundimshëm ngrihet pikëpyetja nëse maqedonasit do të ndërmerrnin një fushatë të tillë, nëse pjesëtaret e atij farë “grupi të paidentifikuar” do të kishin qenë serbë apo bullgarë.
Kumanova ishte kambana që na zgjoi, jo thjesht prej agonisë Kuq e zi të kombëtares së futbollit, por vërtetoi atë që në heshtje mbase edhe e dinim; shqiptarët e Maqedonisë janë më të diskriminuarit në rajon, dhe kurrsesi nuk harrohet “porosia” për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit që përsëritet në çdo takim dy-palësh apo kurdo që ndizet ndonjë vatër e re konflikti atje, me kaq kryhet edhe kjo punë nga institucionet e shtetit shqiptar. Kumanova kumboi më shumë se “Sopoti” apo “Monstra” e shumë ngjarje të tjera që edhe i kishim harruar…
Kumanova i zbuloi krejt lakuriq ata që u zgjodhën për të qenë përfaqësues të shqiptarëve për të mbrojtur të drejtat e tyre, në fund të fundit jetën e tyre… Kaq e neveritshme ishte heshtja e tyre ashtu si edhe e kryeministrave kombëtarë, sa vërtet nuk mund të ketë elektorat në botë t’i rivotojë, as në vendet e botës së tretë. Dha ndonjëri dorëheqje? As që bëhet fjalë… e keqja më e madhe zgjat vetëm 3 ditë dhe ndonjë kafe mbrapa dhe Bac u Kry…
U vranë ata që nuk u përmendet as emri, thjesht dihet se janë shqiptarë dhe madje nuk ka shifër të saktë për numrin e tyre. Në disa shtete filluan protestat, si ato të viteve ’90, dhe mpirja e shqiptarëve vazhdoi, deri kur dëgjuan ndonjë deklaratë të miqve të mëdhenj USA, Evropës, apo kur nga NATO-ja nuk u përmend fjala terroristë…
U dëgjuan deklarata edhe nga Moska e Beogradi, dhe u rikujtuam për skenarin që u denoncua javë më parë ku u tha nga gjenerali maqedonas që qenkan dhënë edhe 2 milionë euro për t’u vënë në zbatim…
Por Tirana ishte e zënë me fushatën elektorale, Prishtina duket se fundjavën e kishte pushim dhe nga Komanova vinin pamjet e para të brutalitetit shtetëror, o sa keq me qenë kumanovar o hej….
Pse plasi kjo punë tani, pse jo para një muaji a dy, apo pas një muaji? Gruevski po mbahet vetëm kështu? Cili dron mund ta gjunjëzonte Gruevkin, apo cila këmbë (shqiptare) mund ta lëkundte karrigen e tij. U derdh gjak shqiptari, e madje u tha edhe për një vajzë 8-vjeçare… Në cilin vend mund të ndhodhte kjo?
A do të jetë Kumanova që do të na i prishë pak planet për festimin e Lidhjes shqiptare të Prizrenit, ku të shfryjmë dufin tonë e të thërrasin e brohorasim për bashkim kombëtar, ku të mos lëmë ekran televiziv pa e trumpetuar, e të mos lemë këngë kombëtare pa kënduar.
Ore vërtet a vërtetoi Kumanove se nuk jemi faktor në Ballkan? Se përndryshe nuk guxonte të ndodhte… Meqë ra fjala u bë gjë për atë spitalin e Preshevës?…
Eh ne shqiptarët jemi pak të zënë në Shqipërinë AMË me këto fushatërat, me numrin e azilantë që braktisin çdo ditë trojet shqiptare, rreth 10 000 në muaj të deklaruar VETËM në Gjermani, me disa deputetë që dreqi i marrtë paskërkan qenë kriminelë, me ca telenovela e SHPRESA pohohet se ka ikur… ne drejtim të paditur… mes Hungarisë dhe Gjermanisë dhe deri në Britani dhe zor të gjendet në fshatra të tërë të braktisur, ku në më të mirën e rasteve gjen ndonjë çift pleqsh që nuk kanë pranuar të ikin…
U shfaktorizuam?
Vërtetë sa maqedonas janë larguar? Sa serbë? Sa malazezë?
Hetim ndërkombëtar për Kumanovën?
Të shohim, jemi të zënë me ca halle nga Shqipëria amë e nga Kosova ctë presim më shumë?…
A lexojmë diçka nga Arben Xhaferi? Apo o burra të bëhemi bashkë e të brohorasim kur Kryeministri Shqiptar dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës do të marrin ndonjë çmim në Tetovë pas disa ditësh? Se në Mal të Zi e morën dhe kaq mirë i kanë punët shqiptarët e atjeshëm, sa ka edhe disa që nuk kanë ikur… sidomos ata që e flasin mirë serbishten apo kanë ndonjë prapashtesë në mbiemrat e tyre…
Platformë kombëtare? Po po patjetër se po vjen edhe përvjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe mbledhjet e përbashkëta patjetër … por ska nevojë për platformë… mjaftohemi me ndonjë deklaratë nga to që çojnë peshë zemrat e shqiptarëve, derisa të shfryhet, të shformësohet kur të ndodhë ndonjë Kumanovë tjetër… deri në theqafje…
















