Monumenti i 100-vjetorit të Pavarësisë më nuk i ka pamjet që i kishte në kohë kur është vënë në shesh.
Pllakat metalike të zhdukura dhe disa prej tyre të deformuara, që “i kanë rezistuar” zhvatjes, në qendër të Tiranës dhe vetëm 20 metra larg Bashkisë së kryeqytetit, e bëjnë Monumentin e 100-vjetorit të Pavarësisë të duket si një kazan i përmbysur plehrash.
Kjo mund të duket kështu për disa, sepse për disa të tjerë më pak të përgjegjshëm kryen funksionin e një bamjeje publike.
Emrat e firmëtarëve të pavarësisë janë “dubluar” me fjalë e vizatime erotike dhe me shkrime banale. Kur filloi grabitja e pllakave të para metalike, dy vjet më parë, vetëm pak muaj pasi u ngrit Monumenti i 100-vjetorit të Pavarësisë, më 28 nëntor 2012, ish-drejtori i Galerisë Kombëtare, Rubens Shima, që ishte në Komisionin e Festimeve të Pavarësisë, është shprehur për gazetën “Shqiptarja.com” se vetëm njëra nga ato pllaka kushton 150 euro, sepse janë të bëra me aliazhe metalesh të kushtueshme.
Zhvatja dhe zhdukja e pllakave nga objekti është shpeshtuar, ku katër prej tyre tashmë mungojnë.
Monumenti është lënë në mëshirën e fatit. Tashmë është në këtë gjendje, si një rrangallë metalike e përçudnuar, e lëshuar në mes të parkut “Rinia”.
Monumenti i 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë jo më pak se 450 mijë euro.
Monumenti i 100-vjetorit të Pavarësisë u ngrit sipas një projekti të shpallur fitues nga konkursi ndërkombëtar i Galerisë Kombëtare të Arteve në vitin 2012. U realizua në Austri.
Vepra është 6.4 metra e lartë dhe rreth 5.5 metra e gjerë, duke përfshirë edhe rrugën pedonale, për të kaluar në nëpër të. Autorët e projektit janë dy arkitektë që jetojnë në Gjermani, Visar Obroja dhe Kai R. Kiklas.
Ky monument u shpall nga Komisioni Shtetëror nën qeverisjen e ish-kryeministrit, Sali Berisha, monumenti fitues i 100-vjetorit të Pavarësisë. Më parë për të u zhvillua konkursi në GKA-ja, në të cilin morën pjesë 61 artistë shqiptarë dhe të huaj.
Projekti fitues nuk u prit mirë nga rrethet akademike dhe intelektualët e vendit. Ideja e tyre ishte që në atë 100-vjetor të bëhej një përmendore madhështore e Ismail Qemalit që shpalli pavarësinë.
Debatet vijuan për muaj me radhë.
Të intervistuarit në media e quajtën “kioska” e pavarësisë, madje ndonjë historian i njohur, më i guximshëm arriti ta quante edhe “si banjë publike”.
Në fakt këtë “funksion” për fat të keq objekti e mori vetëm pak muaj pas ngritjes së monumentit.
U kontestua mediatikisht edhe kostoja e lartë. Ndërtimi i këtij monumenti kërkonte teknologji të precizionit të lartë.
Fabrika me këtë precizion nuk kishte në Shqipëri dhe më në fund realizimi i tij u mundësua nga një kompani austriake.
Kostoja e realizmit final arriti në 450 mijë euro, sipas deklaratave zyrtare të Qeverisë së asaj kohe.


















