Lufta politike dhe mungesa e vullnetit për konsensus e kanë pamundësuar Shqipërinë që të zbatojë reforma të qëndrueshme. Një deklaratë të tillë rreth zhvillimeve të fundit në vendin tonë e ka bërë vetë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, Daniel B. Baer. Kështu, pasi ka vlerësuar raportin e ambasadorit të përfaqësuesit të OSBE në Shqipëri, Florian Raunig, ka deklaruar se pas zgjedhjeve të suksesshme parlamentare në Shqipëri, ajo që pasoi për vendin tonë në fakt nuk ishte aspak e pëlqyeshme. “Zgjedhjet e suksesshme parlamentare në Shqipëri në qershor 2013 ishin një shembull i tranzicionit demokratik dhe transparent të pushtetit dhe një meritë e besimit të zgjedhësve shqiptarë. Por ajo që ka ndodhur më pas është më pak se e pëlqyeshme për shumëkënd në Shqipëri”, ka deklaruar saktësisht ai. Duke detajuar se ashtu siç e ka identifikuar në fakt në raportin e tij edhe ambasadori i OSBE-së, lufta politike, mungesa e besimit mes blloqeve politike dhe mungesa e vullnetit për konsensus dhe fokusim tek progresi nuk e kanë lejuar Shqipërinë të ecë para me reformat. Ndërsa shton nga ana tjetër se është dakord me vlerësimin e Raunig se mbështetja e fortë për sundimin e ligjit si dhe për një dialog të ripërtërirë dhe të konsoliduar mes qeverisë dhe opozitës mbeten çështje thelbësore. Sipas tij, një element kyç në këtë drejtim është pranimi edhe implementimi i menjëhershëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Nga ana tjetër, ambasadori Baer tha se pavarësisht sfidave, gjithsesi e vlerëson progresin që ka shënuar Shqipëria këtë vit. “Jemi të kënaqur që OSBE ka punuar ngushtë me ODIHR për krijimin e një Kodi sjellje për deputetët shqiptarë dhe inkurajojmë zbatimin e tij nga Parlamenti. Dhuna fizike dhe kërcënimet nuk kanë vend në parlament”, tha mes të tjerash përfaqësuesi amerikan në
Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë për Shqipërinë. Dy ditë më parë, kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig, paraqiti në këtë Këshill raportin vjetor për vendin tonë, ku ndër të tjera vlerësoi operacionin anti-kanabis në Lazarat dhe operacione të ngjashme në zona të tjera të vendit si dhe vullnetin politik të mazhorancës për reforma të rëndësishme, që solli sipas tij edhe vendimin pozitiv të Këshillit Evropian, në qershor 2014, për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
DEKLARATA
“Zgjedhjet e suksesshme parlamentare në Shqipëri në qershor 2013 ishin një shembull i tranzicionit demokratik dhe transparent të pushtetit dhe një meritë e besimit të zgjedhësve shqiptarë. Por ajo që ka ndodhur më pas është më pak se e pëlqyeshme për shumëkënd në Shqipëri”














