Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë nisur evakuimin e diplomatëve dhe stafit të përfaqësive të tyre diplomatike në Afganistan nga frika se Kabuli shumë shpejt do të bjerë në duart e talebanëve.
SHBA dërgoi 600 trupa ushtarake për të mbështetur operacionet e evakuimit të stafit, ndërsa BBC thotë se në këtë operacion mund të përfshihen edhe forcat ajrore nëse do të jetë nevoja
Uashingtoni ende nuk e ka vendosur nëse Ambasada në Kabul do të mbyllet përkohësisht, apo do të vijojë funksionet me personel të reduktuar, ndërsa Londra ka evakuuar një staf prej 2 mijë personash të ambasadës së saj.
Pentagoni njoftoi se është në gjendje që të transferojë ccdo ditë me qindra persona pjesë e stafit të ambasadës, ndërkohë që nga vendet europiane, Danimarka njoftoi mbylljen e përkohshme të Ambasadës së saj në Kabul.
Lëvizjet e perëndimit janë kushtëzuar nga avancimi i shpejti i talebanëve që brenda 10 ditëve kanë marrë nën kontrollin e 65 për qind të territorit të vendit, ndërsa parashikimet jozyrtare të vetë SHBA janë që brenda pak javëve ata të marrin edhe Kabulin.
Ofensiva për kontrollin e kryeqytetit duket tashmë ccështje ditësh, ndërsa vetë Qeveria afgane e mbështetur nga perëndimi raportohet se ka nisur bisedimet e fshehta me talebanët duke u ofruar këtyre të fundit ndarjen e pushtetit.



















