Kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa, njëherësh edhe kryetar I degës së LDK-së, thotë se partia e tij është fitues moral në zgjedhjet e fundit nacionale edhe pse nuk ka fituar në raport me PDK-në, por ai thotë se LDK ka shënuar rritje të votës.
Koalicionin e bllokut e opozitar e cilëson si legjitim dhe se beson se VV do ta përkrahë këtë qeveri.
“Koalicioni është shumë normal koalicioni i opozitës, I cili ka së bashku 3 80 mijë vota. Këtu kemi dallimin se kemi një koalicion të formuar para dhe një tjetër pas zgjedhjeve. Pra koalicioni paszgjedhor e ka legjitimitetin”, tha Sfarqa në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova.
Sfarqa thotë prêt vlerësim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese dhe se pas kësaj blloku opozitar do ta krijojë Qeverinë dhe se nuk do të ketë nevojë të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“LDK do ta respektojë secilin proces që do ta legjitimojë një proces. Pra do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.
Sfarqa vlerëson se edhe Vetëvendosja do të sillet konform me rrethanat dhe politika e saj do të zhvillohet mbi parimet e konsensusit, pra do te jetë kooperative në krijimin e Qeverisë së koalicionit opozitar.
“Përkundër kushtëzimeve që ka paraqitur në tavolinën e bisedimeve, mendoj se VV do ta përkrahë qeverinë e koalicionit”, tha Sfarqa.
Ai thotë se LDK duhet të tregohet e hapur për kuadrat të reja. “Mendoj se ka ardhur koha që mbi bazat e rezultateve në teren edhe të vlerësohet secili në parti”, tha Sfarqa.