Leku paraqitet si vetë jeta, e seksi vlera kryesore e saj. Të kesh principe morale e familjare, të jesh besnik, do të thotë të jesh i dalë mode dhe jo “in”. Kurse çelësi i vetëm drejt karrierës është seksi, intrigat e futja e duarve. Ku martesa është një strofull në të cilën nuk ka etikë e besnikëri, e ku premtimet e bëra thyen. Shoqëria është në duar të grave dhe aty ku profesioni i gazetarisë nuk ka etikë. Kështu paraqitet Tirana bashkëkohore, në filmin “Tirana 2014”, me regji dhe skenar të Edmond Mandros. Një komedi, ku përkrah aktorëve me famë në Shqipëri, si Genc Fuga e Gent Hazizi, luajnë edhe fytyrat publike të televizionit shqiptar si Arian Çani, e këngëtarët Endri dhe Stefi Prifti. Gjithçka fillon kur Ëngjëlli (Genc Tufa), gjen gruan e tij në shtrat me komshiun që për një moment e gjitha bota e tij mbaron. Por, duke qenë shef programacioni në një prej televizioneve më të njohura, ai arrin ta kalojë këtë moment të vështirë, gjithsesi me ndihmën e një tjetri shefi, atij të informacionit të luajtur nga aktori Gent Hazizi, një kurvar klasi.
Rrjedha e ngjarjeve të filmit 105 minutash bën personazhin kryesor, Ëngjëllin, të futet në kurthin e gruas së tij (Ola Harizaj), e zënë me presh në duar nga i shoqi. Ajo angazhon një prostitutë, në të cilën për ironi të fatit, ai dashurohet dhe gjithë këtë intrigë të bashkëshortes së saj, e kupton në shtratin “famëkeq”, ku ai kishte zbuluar tradhtinë e gruas, por kësaj radhe ishte ai që po tradhtonte.
Në komedinë e Mandros, përveç puthje ordinere e skenave të nxehta, gjen edhe puthje të cilat nuk kemi menduar që do t’i shohim në filmin shqiptar, së paku edhe për pak kohë. Aty pra preket edhe një çështje shumë e ndjeshme për shoqërinë shqiptare, ajo e homoseksualitetit dhe trajtimin homofobik që merr ajo në trojet shqiptare.
Komedia e tipit “what comes around goes around”, përfundon kur secili prej personazheve merr atë që e meriton. Kurvari me kurvën, familjari me familjen.
Në konferencën për medie, pas premierës për të shpjeguar qëllimin e filmit ishin prezentë regjisori dhe skenaristi, Edmond Mandro, aktorët Genc Fuga dhe Genti Hazizi, drejtoresha e kinemasë ABC, Miradije Vllahiu, drejtori i festivalit “DokuFest”, Eroll Bilibani e drejtori i fotografisë, Lorenc Pelushaj.
Regjisori Mandro para gazetarëve tha se e kanë akuzuar ndoshta që e ka servirur realitetin e zymtë, kurvërinë dhe homoseksualitetin, mirëpo siç tha ai është naivitet të mendohet kështu. “Kjo është një komedi dhe si në çdo komedi gjërat ekzagjerohen. Kështu që mund ta kisha trajtuar si një dramë të personazhit kryesor, i cili do ta kishte gjetur gruan me dikë tjetër dhe pastaj ta vuajë. Mund ta përshkruaja realitetin ashtu siç është në të vërtetë. Por, ne shqiptaret jemi lodhur duke e parë veten në kinema. Ndoshta kështu me humor, përcillet më mirë, më bukur. Në fund të fundit familja është gjithçka. Të gjithë kemi nevojë për familje”, ka thënë regjisori Mandro.
Fabula e filmit përfshin edhe gazetaret, të cilat i paraqet në një mënyrë apo tjetrën imorale. Regjisori ishte gjykuar për ketë fakt, mirëpo ai thotë se “Dikush më ka thënë nuk janë gazetarët kështu. Unë kam tim shoqe gazetare, atëherë i bie që do të shaja gruan time të parën. Kjo është një komedi dhe pikërisht duke mos e përshkruar realitetin ashtu siç është”.
Ndërkaq aktori në rolin kryesor, Genc Fuga, tha se meritokracia brenda medieve është në pikëpyetje dhe lë për të dëshiruar. “Jemi në hapa të parë të krijimit të meritokracisë, si në Tiranë ashtu edhe këtu. Në momentin kur në shoqëri të caktuara nuk ka fuqi meritokracia, patjetër duhet të ketë dhënë parametra të tjerë, qoftë seksual, do të kemi shumë aspekte të forta që shoqëria me anë të familjes duhet t’i kalojë”, tha Fuga.
Fuga që është edhe pedagog në Fakultetin e Arteve të Tiranës, duke folur rreth vështirësisë së luajtjes së një skenari të tillë tha se në film ka skena të cilat tek ne ende nuk jemi mësuar t’i shohim. “Këto lloj skenash edhe si ligjërues nuk ua lejoj studentëve të mi, andaj jam përballur me vështirësi gjatë lojës se këtyre skenave”, ka thënë Fuga.
Eroll Bilibani, drejtor i festivalit “Dokufest”, tha se kinemaja duhet të përdoret si platformë për ndryshime në shoqëri. “Kinemaja duhet të ketë një platformë shumë të mirë për ndryshim të shoqërisë edhe për hapjen e debateve, të cilat mungojnë në shoqërinë tonë. Jam i kënaqur që në kino ABC si dhe në ‘Dokukino’ në Prizren shfaqen filma shqiptar që trajtojnë tema që hapin diskutime. Pasi që kinemaja jashtë përdoret shumë si agjent për ndryshim shoqëror”, u shpreh Bllibani.

















