Seanca e kësaj të enjte në Kuvend është mbyllur vetëm me votimet e dekreteve të Presidentit për ndryshimet në qeveri.
Në sallën e Kuvendit ka pasur tensione me opozitën, e cila ka kërkuar miratimin sa më të shpjetë të akteve nënligjore për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.
Pas një pushimi 5 minutësh, nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leska, ka kaluar për votim dekretet e presidentit, ku Shkëlqim Cani u shkarkua nga detyra me 74 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim. Ndërsa dy ministrant e rinj morën secili nga 77 vota pro.
Opozita ka qëndruar gjatë gjithë kohës në këmbë, pranë foltores, duke kërkuar kalimin në seancë të propozimit të tyre për dekriminalizimin.
Pavarësisht se deputeti Armando Prenga u ‘vetëpezullua’, opozita ka deklaruar se nuk do të tërhiqet në përpjekjet e saj për të bllokuar seancën e Kuvendit.
Disa media thonë se opozita ka në plan një skenar si në Kosovë.
Kjo për shkak se disa deputetëve të PD iu janë gjetur vezë teksa po hynin në Kuvend.
Burime nga policia bëjnë të ditur se ka pasur një skenar për të gjuajtur me vezë, një informacion ky që e dispononte edhe garda. Për këtë është bërë kontroll i imtësishëm i deputetëve që kanë hyrë në sallën e Kuvendit, ku pritet të nisë edhe seanca.
Vezë i janë gjetur deputetes së Korçës Elena Qirici, deputetit Bedri Hoxha dhe Liljana Elmazit.
Ndërkaq, deputetët demokratë të cilëve u është përmendur emri se kanë pasur me vete vezë, e kanë mohuar një veprim të tillë.
Nga ana tjetër, për Partinë Demokratike tërheqja e Prengës nga Kuvendi është nul, pasi nuk ekzisto asnjë kriter ligjor apo kushtetues për vetëpezullimin. Oerd Bylykbashi ka deklaruar para se të hyjë në seancë se opozita kërkon zbatimin sa më të shpejtë të ligjit të dekriminalizimit.
“Vetëpezullimi nuk ekziston as si kriter ligjor dhe as kushtetues, dhe vlera është nul”, tha Bylykbashi për veprimin e Prengës.
Deputeti demokrat tha se PD kërkon diçka parimore, largimin nga parlamenti të personave që janë të arrestuar dhe po gjykohen për një krim.
“Ajo që kërkojmë ne është diçka plotësisht parimore, po kërkojmë një ndryshim që është i bëshëm sot, i miratueshëm nga Parlamenti dhe në aspektin teknik nuk ka asnjë pengesë. Ajo që ne kërkojmë është ndryshimet sot në ligjin për dekriminalizmin në mënyrë që deputetë dhe funksionarë të tillë të mos jenë në Parlament kur janë të arrestuar në flagrancë për krim, vrasje ose plagosje”, tha Bylykbashi.
Pas tërheqjes së alarmit për përdorimin e vezëve në seancë, Parlamenti i Shqipërisë ka nisur punimet.
Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, duke prekur çështjen e dekriminalizimit, e ka vënë theksin tek rasti i deputetit Armando Prenga.
“Rama i solli me shumicë kriminelët në Parlament. Deputeti i tij, Armando Prenga, qëlloi me armë në komisariatin e policisë. Ishte ky deputet që Rama e kishte zgjedhur pikërisht për bëmat e tij, sepse i duheshin votat në zgjedhjet parlamentare”, tha Paloka.
Ai ka akuzuar kryeministrin Rama se, e futi Prengën në Parlament dhe komisione parlamentare, ku deputeti ka ushtruar dhunë ndaj kolegëve dhe njëkohësisht e shpërbleu me lagunën e Patokut.
“Ndërsa kur nuk kishte nga t’ia mbante, Rama e detyroi të tërihqej”, ka thënë Paloka.
Ai e ka konsideruar si absurd kthimin e Prengës pak ditë më parë në punimet e komisionit të sigurisë kombëtare, në një kohë kur pritet të realizohet shkëputja e politikës nga krimi.
“Kjo është një ditë e rëndësishme. Kjo çështje mbyllet këtu. Ose votohet dekriminalizimi, ose vazhdohet me krimin. Votoni propozimet tona”, ka thënë Paloka duke iu drejtuar kryeministrit dhe deputetëve të mazhorancës.
Më tej, ai ka kërkuar që t’u hiqet mandati deputetëve Kokëdhima, Leskaj e Suli, të cilët sipas tij kanë shkelur Kushtetutën.
Duke marrë menjëherë fjalën, nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj ka vijuar me rendin e ditës, duke anashkaluar kërkesën e opozitës për votimin e akteve nënligjore për dekriminalizimin, veprim ky që ka sjellë dhe reagimin e deputetëve të PD, që janë mbledhur përpara folëses së Parlamentit.
Deputetja demokrate Jozefina Topalli, duke iu drejtuar kryetares së Kuvendit dhe kryeministrit, i ka akuzuar ata për kriminalizimin e këtij institucioni.
“Ky parlament është kriminalizuar tërësisht. Nuk është faji i Armando Prengës pse ndodhet aty, por i atij që e futi në Parlament. Le të ulet Armando Prenga në vend të kryeministrit”, ka thënë Topalli. E gjendur në tension, kryetarja Leskaj ka dhënë 5 minuta pushim.
Ndërkohë, opozita e bllokoi foltoren e Kuvendit, ndërkohë që u binte tavolinave.
Disa deputetë kanë shpalosur disa letra ku lexohej: Jashtë kriminelët.
Nga ana tjetër, deputeti Armando Prenga ishte sot i pranishëm në Kuvend për pak minuta.
Në një prononcim për median, ai tha se nuk ia ndalonte ligji dhe as Kushtetuta të merrte pjesë në seancë.
“Nuk thashë se nuk do të marr pjesë. Votova dekretet e Presidentit. Nuk do të vij më në parlament deri sa të ketë një vendim të formës së prerë nga gjykata. Për 6 muaj nuk digjet mandati”, tha Prenga për gazetarët.














