Kryeministri i Kosovës Albin Kurti zbuloi se pati polemika gjatë samitit të krerëve të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Tiranë mes tij dhe kryeministres së Serbisë Ana Bërnabiq.
Në një prononcim për mediat, Albin Kurti tha se kryeministrja e Serbisë nuk ka pranuar që Kosova të konsiderohet shtet i pavarur.
“Pati një lloj si polemikë le të theni, se nuk dëshironte të pranonte që Kosova është shteti i pavarur e sovran.
E unë theksova që Serbia duhet të shkëputej duke u distancuar nga regjimi i Millosheviçit dhe trashëgimia e tij meqë s’ka zgjidhje tjetër vecse të njihet pavarësia e Kosovës.
Serbia në këtë mënyrë po e mban veten peng, para disa vitesh Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia e tani është koha e fundit që Serbia ta shpallë pavarësinë nga Kosova”, u shpreh Kurti.
Media serbe Tanjug raporton se Kurti gjithashtu i bëri thirrje Serbisë që të njohë Kosovën si shtet të pavarur. Kjo ka sjellë edhe përplasjen mes tij dhe kryeministres serbe.
Ana Bërnabiç u përgjigj duke thënë se formati aktual funksionon mirë dhe se nuk ka asnjë argument ligjor për të ndryshuar asgjë. “Sepse Kosova është pjesë e Serbisë”, tha ajo.
Bërnabiç ka thënë se Kosovën nuk e njohin pesë anëtare të BE-së, se Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe se në atë kuptim nuk mund të ketë status tjetër nga ai ekzistues.
Ndërsa Kurti i është drejtuar me ironi: “Çfarë do të bësh, a dëshiron të na pushtosh?”. Bërnabiç u përgjigj: “Si mendoni se po e okupojmë territorin tonë?”