Më 25 mars, në Prishtinë pritet të mbahet Samiti e Ballkanit Perëndimor.
Ky Samit ballkanik pritet të mbledh ministrat e Jashtëm dhe ministrat e Transportit të gjashtë shteteve ballkanike, që synojnë anëtarësinë në BE. Gjithashtu, pritet të arrihen edhe marrëveshje që hapin dyert për investime të reja miliardëshe në infrastrukturën e shteteve ballkanike.
Në gushtin e vitit të kaluar, ish kryeministri Thaçi arriti të realizojë takimin me kancelaren gjermane Angela Merkel, në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Berlin, që i ishte dedikuar krijimit të një baze të projekteve ekonomike. Ky Samit u shndërrua në Procesin e Berlint dhe është pasuar me një takim në Beograd.
Siç mëson KosovaPress, Thaçi do të udhëheq me Procesin e Berlinit, duke u bërë nikoqir zyrtar i Samitit të ardhshëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Samiti i Prishtinës do të tubojë gjashtë ministrat e Jashtëm, përfshirë Ivica Daçiqin e Serisë. Po ashtu do të mblidhen edhe ministrat e Transportit.
E veçanta e këtij Samiti në Prishtinë është se pritet edhe ardhja e Komisionarit Hahn në Prishtinë. Paraardhësi i tij, Stefan Fule, ishte një ndër ideatorët e Procesit të Berlinit, ndërsa Hahn pritet të merr stafetën në procesin e zgjerimit.
Samiti i Prishtinës është parapërgatitja kryesore para Takimit të Vjenës, ku kancelari austriak dhe kancelarja gjermane do të jenë nikoqirë për krerët e shteteve ballkanike.
Burimet nga MPJ e Kosovës thonë se tashmë kanë filluar përgatitjet që çdo gjë të shkojë në rregull në Prishtinë dhe që Kosova të përfitojë maksimalisht. Edhe Ministria e Transportit tashmë është e njoftuar dhe po bën gati planet konkrete prezantuese.
Tashmë mediat kryesore ndërkombëtare kanë përgatitur ekipet që do ta mbulojnë këtë ngjarje.















