Dy ditë më parë, Kryeministri Edi Rama priti në një takim ministrin e Jashtëm të Greqisë Nikos Kotzias, i cili zhvilloi një vizitë zyrare dy ditore në Tiranë.
Takimi mes Ramës dhe Kotzias u zhvillua në sallën e hartave në Kryeministri. Por, sërish mediat greke kanë reaguar pas fotos të publikuar nga Kryeministri shqiptar, ku shfaqet Edi Rama me ministrin grek Kotzias dhe pas tyre është harta e vjetër e trojeve shqiptare.
Ky veprim është marrë si provokim nga fqinjët tanë, të cilët shkruajnë se kufiri tek hartat e vjetra në Kryeministri, përfshin edhe territore greke.
“Cili ishte reagimi i ministrit grek? Absolutisht asgjë! E dinte që do të fotografohej? Sigurisht që po!”, shkruan ndër të tjera portali grek ‘Epirus Post’.
Kurse portali tjetër grek ‘Newsbomb.gr’ shkruan: “Nuk e dinte z.Kotzias se çfarë harte ishte ajo?Nuk u befasua që rajonet greke janë përfshirë në hartë? Pse nuk reagoi? Përse nuk e pyeti Kryeministrin shqiptar për hartën në vend që të buzëqeshte për fotografinë? Së fundi, a ka politikë të jashtme në këtë vend? A ka diplomaci greke? Populli grek kërkon shpjegime”.
Duket se harta e Kryeministrit Rama në selinë e Qeverisë Shqiptare ka tërbuar grekët, të cilët pas protestës së Shoqatës Çamëria duket se janë provokuar sërish nga një hartë e vjetër e trojeve shqiptare.

















