Nga Prof. Dr. Ago NEZHA
I shfaquri dhe i shpërfaquri në çdo ekran televizori, në çdo seancë parlamentare, në çdo eveniment të PD-së, por jo vetëm, edhe ato kombëtare, që sëmuret keq po të mos flasë me gjuhën e tij të zhyer e të përlyer, s’mund të rrijë pa uruar edhe Kurban bajramin, që e bëri kurban Shqipërinë për Greqinë dhe Serbinë. Ai, nuk mungon t’i urojë shqiptarët për lumturi e begati, kur për 23 vjet shkatërroi, i vodhi, i përçau, i vrau, e bëri sikur i qau, me lotët e krokodilit. Ky aktor komik i skenës teatrale të PD-së, mjeshtër i madh i manipulimit e mashtrimit, që ka kualifikuar një trupë të aftë grerëzash që po thumbojnë e helmojnë mjedisin politik, shoqëror, e shpirtëror të shqiptarëve, nuk e ndal strategjinë e tij ogurzezë për ta fundosur sa më thellë këtë vend.
Është gjeni i mendimit të keq, i fantazisë pjellore të shpifjeve dhe thashethemeve, i lajthitjeve të rastit, i gënjeshtrës, hipokrizisë, i paturpësisë, i ambicies, i lajkatimit, i egos, zilisë, bajraktarizmit, fudullëkut, i pangopësisë, si dhe i pabesisë dhe tradhtisë të shokut dhe të kombit. Të gjitha këto cilësi e të tjera, i ka manifestuar qartazi e dukshëm në qeverisjen e tij, gjatë këtyre 23 vjetëve. Po ti bësh skanerin, apo ti përcaktosh diagnozën e zëmrës (meqë është kardiolog) se si i rreh e pulson atij për Shqipërinë dhe shqiptarët, diagrama tregon qartë, se dy gishtat i kanë ngelur lartë për Serbinë dhe Greqinë, duke përçarë Shqipërinë në Jug dhe Veri. Mëndja e tij pjellore, hedh vazhdimisht shashka në tregun mediatik, për të turbulluar shpirtrat e shqiptarëve. Ndarja krahinore, ishte shuar në kujtesën e njerëzve tanë, meqenëse për 50 vjet punuan, krijuan dhe jetuan së bashku nga Jugu në Veri, si vëllezër të një gjaku, duke krijuar dhe miqësi, martesa e familje të përbashkëta. Por dygishtshi, që i ngre lartë si purteka për të krijuar ndarjen Jug-Veri, është brenda misionit të tij, që ju shërben dhe dy komshinjve tanë me urrejtjen e tyre tradicionale.
Berisha e ka treguar besnikërinë ndaj fqinjëve në vijimësi, jo me fjalë por me vepra. Po të ruajmë kujtesën e ngjarjeve në mënyrë permanente ai ka përkrahur Serbinë duke anatemuar UÇK-në, që i ka quajtur organizatë terroriste, gjuhë kjo e përdorur nga Milosheviç dhe shërbëtorët e tij në Kosovë. Gjatë kohës që zhvillohej lufta heroike e kosovarëve ndaj serbëve, Berisha e furnizonte me naftë Milosheviçin, duke thyer embargon, për të favorizuar agresionin e tyre ndaj vëllezërve tanë. Në marrëveshjen historike për fatet e Kosovës në Rambuje, Berisha u bëri thirrje delegacionit të Kosovës që mos ta nënshkruajnë marrëveshjen, një shërbim ky shumë i çmuar ndaj sundimtarit serb. Këtë shërbim ja ka bërë dhe fqinjit tonë Jugor, duke i shitur detin në mënyrë klandestine. Këto akte të pa precedentë në historinë e vendit tonë, përjashtuar rastin e idhullit të tij shpirtëror Mbretit Zog, që ju dha jugosllavëve Shën Naumin dhe rrafshin e Dukagjinit në shpërblim të karrierës së tij, u përsërit si dy pika ujin nga “Mbreti Sali”, për përfitime personale, nga fqinji Jugor.
Ai, gjatë viteve të kaosit “demokratik”, i ka realizuar gjithë synimet e tija, duke shkatërruar pasurinë natyrore, si plantacione, pyje, vepra arti, duke shitur pasurinë nëntokësore minierat dhe naftën, duke shkatërruar strukturën morale, shpirtërore, arsimore dhe kulturore të popullit tonë. Për të gjitha këto krime të njohura dhe të afirmuara në opinionin shoqëror, nuk ka vepruar as drejtësia e kapur rob prej tij dhe as shoqëria civile e asfiksuar nga fryma e korrupsionit pushtetar. Jemi në një situatë morgu që të gjithë qajnë, por asnjëri nuk ja zbulon fytyrën kriminelit për ta shpërblyer për gjithë ato krime me një vend të “rehatshëm” në qeli. Për ditë bien kambanat e alarmit në media dhe në parlament për majën e aizbergut të korrupsionit, që duket si drita e diellit, se Saliu ka vjedhur 240 milionë euro te rruga e Kombit, dogji e vrau rreth 30 vetë në masakrën e Gërdecit, vrau katër njerëz të pafajshëm në 21 janar të 2013, pa folur sa ka vrarë kundërshtar politik Brenda familjes së tij politike dhe jashtë saj, pa zë, kulisave me anë të shërbëtorëve të vet, e pastaj?…
Çfarë pësoi, kush e gjykoi, për ata që lëndoi, si lule gjembi në parlament lulëzoi, e vazhdon për ditë të na shurdhoi. Të gjithë e dinë, që për vendin është një rrezik, por s’di ku fle lepuri,që e kanë frikë, politikanët tanë simpatik. Vetëm zëri i Braçes si tërmet, oshtin në parlament. Të tjerët i bëjnë fresk, me ca batuta bajat, poshtë’ e lartë, vetëm hedhin baltë, që Berisha, i merr për mjaltë. Shtrohet pyetja kundërshtarëve politik, që ju ngel fjala në fyt, mos ndiejnë ndonjë rrezik, ta shohin Berishën si armik. Berisha është mjeshtër, që të vërtetën ta kthejë në gënjeshtër, e të ta shesë grurin për gjineshtër. Informacioni nuk i mungon, për këdo që e kritikon, ndonjë kleçkë ja zbulon dhe para kamerave ja numëron, kjo situatë kundërshtarët i tundon.
Populli është i lodhur duke dëgjuar përralla të shpeshta e të rralla, Berisha në çdo rast ju rrëshqet si ngjala. Të gjithë presin nga qeveria e drejtësia, që të vendoset barazia, të shpëtoi Shqipëria. Por deri kur?!… Për të shëruar një trup të sëmurë që ka 23 vjet që lëngon dhe sëmundja ka dhënë metastaza në të gjithë pjesët e trupit, kjo s’bëhet me kurim, do bërë përmbysje rrënjësore dhe kjo pritet të ndodhë gjatë qeverisjes Rama. Përmbysjet e mëdha s’bëhen me kompromise, kërkojnë, iniciativë, guxim dhe vendosmëri. Rama, e ka treguar veten kur ishte në krye të Bashkisë së Tiranës, se është i zoti të bëjë apokalips historik, që të mbeten me vulën e tij në kujtesën e publikut. Mos shpresojmë kurrë se do ndryshojë Partia Demokratike. Fryma e urrejtjes politike, partiake, krahinore, qytetare, që është futur në çdo qelizë të kësaj partie, fatkeqësisht e ka sëmurur patologjikisht këtë subjekt politik. Po të ndjekësh në dinamikë veprimtarinë e gjithë aktorëve politik të PD-së, do të shohësh se ata flasin me të njëjtën gjuhë, me gjuhën e arrogancës dhe imoralitetit, bëjnë të njëjtat veprime shoqërore,janë të ngjashëm sikur i ka pjellë një nënë. Duke ndjekur lajmet në ditën e shënuar të Kurban Bajramit, të gjithë liderët e së majtës duke filluar nga Kryeministri Rama, Kryeparlamentari Meta, e deri te Shpëtim Idrizi i koalicionit të djathtë, kur u pyetën nga gazetarët për probleme politike, ata ju shmangën, bile Meta theksoi se politika duhet të marrë shembull nga bashkëjetesa fetare për t’u emancipuar në standarde europiane.
Është për të ardhur keq kur dëgjoje liderin e partisë Demokratike z. Basha, që gjithë urimin e tij e përqendroi te akuzat ndaj mazhorancës, në një ditë që duhet të tregonte qytetari dhe jo bajraktarizmin e atit të tij shpirtëror. Ai, u ndal te monumenti i dy gishtave në Kavajë, por sa shpejt i harroi shembjen e lapidarëve, monumenteve të Heronjve të Vigut në Shkodër, muzetë, që i kthyen në gërmadha. Po të ndjekësh me vëmendje rubrikën e lajmeve të mëngjesit, edhe gazeta Rilindja Demokratike ka fytyrën e partisë, duke vënë tituj fyes ndaj Kryeministrit, Ministrave, apo aktorëve të majtë politikë. Si mund t’ia lejojë vetes një organ shtypi gjoja demokratik, disa tituj me përmbajtje të tillë: “Qelbësira Kryeministër, Rrugaçi Kryeministër, Mafiozi Kryeministër”, e plot të tjerë që të vjen turp ti citosh. Këtu s’ka fare etikë gazetareske pa le më qytetarie. Kryeministri, Presidenti, apo edhe Ministrat, kur ngjiten në atë post, nuk janë më të partisë përkatëse, por të gjithë vendit.
Duhet të emancipohet shoqëria dhe të krijojë një kulturë europiane që të mos fyejmë dhe shajmë asnjë drejtues të vendit. Këtë paraqitje etike, nuk e ka reflektuar për asnjë rast gazeta Zëri i Popullit, gjë që flet për frymën e saj të kulturuar. Më kujtohet një bisedë me Nderim Kupin, i persekutuar dhe emigruar në Amerikë, që u kthye në vitet e demokracisë. Në ato vite ishte Kryeministër Ilir Meta. Në një bisedë me të, ku ishim tre shokë me përkatësi të ndryshme partiake, ai vuri në dukje këtë fenomen, se si shan e djathta me fjalor fyes Kryeministrin e vendit. “Unë citoi ai, jam i djathtë dhe nuk e dua Metën, por e respektoj se është Kryeministër i vendit tim”. Dhe për më keq vazhdoi ligjëratën, dëgjoj që të shajnë Kryeministrin edhe para të huajve. Kjo s’është demokraci, por bajraktarizëm e mbylli ai bisedën. Këtë mesazh duhet ta marrin të gjithë politikanët shqiptarë si një apostulatë të një qytetari amerikano-shqiptar, që është rritur, edukuar dhe formuar në vendin më demokratik të botës. Presim dhe shpresojmë, që të ndryshojmë.
















