Ish-kryeministri e ish kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, e ka quajtur lajm të hidhur dhe trishtues vrasjen e Elvis Pistës.
“Të dashur miq, një dorë vrastare në një akt të shëmtuar kriminal ekzekutoi në Rahovec kandidatin për deputet (de facto deputet) të PDK-së, një personalitet të shquar në fushën e komunikacionit për Kosovën, Elvis Pista. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë krim të rëndë uroj që organet e zbatimit të ligjit t’u japin përgjigjën më të merituar autoreve të këtij akti mizor”, ka shkruar Berisha në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
“Me këtë rast shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, të afërmve, miqve dhe kolegëve të të ndjerit Elvis Pista dhe lutem se bashku me ta që shpirti i njeriut të tyre të dashur të gjejë paqen e merituar! Ngushellime!”, ka shtuar më tej deputeti shqiptar.














