Të paktën 28 persona raportohet se kanë humbur jetën dhe 57 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi të avionëve rusë sot në Sukkeri i cili ndodhet në veri të Alepos në Siri dhe që kontrollohet nga opozitarët
Në një deklaratë për gazetarin e agjencisë turke të lajmeve Anadolu Agency, zyrtari i mbrojtjes civile Nexhip Ensari, ka konfirmuar se forcat ajrore ruse kanë organizuar 3 sulme në rajonin Sukkeri, raporton AA.
Duke theksuar se sulmet kanë goditur vendbanimet Ensari u shpreh: “Avionët rusë dhe ato të regjimit kohët e fundit janë duke goditur vendbanimet dhe nën shënjestër kanë civilët. Në sulmet e sotme të paktën 28 persona humbën jetën dhe 57 të tjerë mbetën të plagosur. Shumica e këtyre civilëve ishin fëmijë dhe gra. Njëkohësisht shumë godina janë shkatërruar”.
Ensari në vazhdim të fjalës së tij ka theksuar se ekipet e shpëtimit janë duke punuar për nxjerrjen e personave që mund të kenë mbetur poshtë gërmadhave të godinave të shembura. Ai ka shtuar se të plagosurit janë dërguar në spitalet e improvizuara më të afërta.
Ditën e djeshme një helikopter i regjimit të Asadit sulmoi me gaz klorik vendbanimin e Sukkerit nga i cili u ndikuan të paktën 100 persona.














