Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste kritikoi sot ministrat e qeverisë. Që në nisje të seancës së sotme parlamentare, Gramoz Ruçi kritikoi ministren e Inovacionit, Milena Harito, dhe i kërkoi asaj që të zbatojë rregulloren e Kuvendit.
Sipas tij, ministrja e mori fjalën në kundërshtim me procedurat parlamentare, ndërsa diskutohej projektligji “Për njoftimin dhe konsultimin publik”.
“Dua t’i kujtoj ministres se fjalën që paraqitët do të ishte me vend ta kishit marrë në fillim, sipas rregullores dhe procedurave parlamentare. Pasi mbyllet diskutimi dhe pasi flasin përfaqësuesit e grupeve, nuk keni më të drejtë ta merrni fjalën. Në qoftë se do ta merrni fjalën pas mbylljes se diskutimit, kërkoni qe te hapet diskutimi nga e para. E ndoqa me vëmendje, thashë se s’kam asnjë vërejtje, por s’kishit asnjë të re për ta hapur diskutimin nga e para kur ishte mbyllur diskutimi. Prandaj këto janë proceduara dhe praktika parlamentare. Keni një vit ministre, i mësoni, dhe me parlamentin të jeni korrekt herën tjetër”, deklaroi Ruçi.
Por Ruçi u tregua më i ashpër ndaj dy ministrave, atij të Energjetikës Damian Gjiknuri dhe atij të Brendshëm Saimir Tahiri, të cilët folën për operacionin e ndërmarrë në të gjithë vendin kundër vjedhjes së energjisë elektrike. Sipas Rucit, fjalimet e tyre dukeshin të tilla, ku ne vend të japin llogari, kërkojnë llogari.
“Nuk jam në gjendje të dalloj se kur fillon ministri dhe kur vazhdon kryeministri. Qeverisja nuk bëhet me aksion, por me qeverisje çdo ditë. Folët nga 15 minuta dy ministrat, por para së gjithash, sistemi vuan nga keqmenaxhimi dhe keqadministrimi. Janë 2252 elektricistë që ka sistemi dhe ju mendoni se këto lidhje të paligjshme nuk i kanë bërë këta? Absolutisht, që këta i kanë bërë. Po fusni ca konsumatorë hajdutë brenda, ndërsa lihen hajdutët jashtë”, u shpreh Ruçi.
Duke iu drejtuar ministrit të Brendshëm, ai theksoi se krimi nuk luftohet me aksione policie, por çdo ditë:
“Ne do kërkojmë llogari për këto tregues. Kur vini këtu duhet të përgjigjeni si ministër për administrimin e sistemit që keni në varësi. Nuk luftohet krimi me aksione policie, por çdo ditë. Nuk mendoj se ka krim më të madh se ato 150 milion eurot e dëmeve. Do iu thërrasim në interpelancë se për këtë jemi votuar, për votëbesimin që na ka dhënë elektorati”, theksoi Ruçi.
Rama: Ministrat të jenë krenarë që ia kemi dalë në këtë rrugë pa krye
Menjëherë pas deklaratës së Ruçit, kryeministri Rama doli sërish në foltore, nga ku falënderoi kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, për nxitjen e diskutimit. Ai vlerësoi këto diskutime, të cila sipas tij ndihmojnë në përcilljen e shqetësimeve të qytetarëve, dhe mbrojti punën e ministrave.
“Duke e falënderuar kryetarin e grupit për nxitjen e mëtejshme të këtij diskutimi, që na ndihmon të shpjegojmë më së miri për publikun gjithçka që po bëjmë, dhe duke e miratuar atë që tha se është me fort rëndësi që t’i shfrytëzojmë këto seanca edhe për interpelanca edhe për diskutime që na ndihmojnë për të përcjellë vizionin dhe problemet, me të cilat përballemi tek publiku, gjë e cila në mungesë të opozitës është më e vështirë, dua të shpreh gjithë vlerësimin tim më të lartë për punën e shkëlqyer të ministrit të Energjisë, ministrit të Brendshëm, ministrit të Mirëqenies Sociale, të Ministrit të Ekonomisë dhe të gjithë grupit, që duhet të jenë sot krenarë që ia kemi dalë ta vendosim këtë proces në atë rrugë që nuk është më rruga pa fund e 20 viteve, po është rruga që ka stacion dhe ka një mbërritje të sigurt dhe të suksesshme, jo për qeverinë, por për mbarë vendin tonë”, deklaroi Rama.















