Do të jenë tre ministri që do të menaxhojnë të gjithë këtë proces. Burime nga brenda ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, shprehen se aktualisht po punohet për të dhënë me koncesion rrugën e Kombit, segmentin Milot-Morinë për mirëmbajtje dhe taksim. Ndërkohë që po rishikohet mundësia për dhënien me koncension të rrugës së Arbërit, pasi ka një kërkesë për këtë rrugë. Po sipas burimeve ka kërkesë edhe për rrugën e Elbasanit, përfshirë edhe tunelin në të. Mund të shikohet mundësia e dhënies me koncension edhe e rrugës Tiranë-Durrës. Ajo çka bëhet me dije se të gjitha këto projekte janë në proces shqyrtimi dhe nuk është se ka ndonjë rezultat të vlerësimit. Konkrete është Rruga e Kombit, që do të shpallen procedurat shumë shpejt. Publikimi në fletoren zyrtare të rregullave dhe standardeve që duhet të ndiqen në këtë proces, ndez dritën jeshile edhe për këtë sektor të ekonomisë.
Vlerat monetare që një qytetar shqiptar do të paguajë për të kaluar në rrugët që do të menaxhohen nga koncensionarët do të jetë në vlerat mesatare ose nën mesatare të rajonit. Burimet thonë se mesatarja aktuale në rajon është 6 euro për 100 kilometër. Pas kësaj vjen shpjegimi se kjo vlerë do të jetë më e ulët. Të gjitha projektet e depozituara në ministrinë e Transporteve, janë në proces vlerësimi, edhe shifra është në proces vlerësimi. Studimi i fizibilitetit nuk është miratuar ende nga ministria e Financave. Të gjitha shifrat janë të pavendosura. Vendimi përfundimtar për dhënien me koncension do të miratohet në varësi të studimit të fizibilitetit, pas kësaj mund të miratohet. Fizibiliteti edhe mund të pësojë disa ndryshime me ndërhyrjen e ministrisë së Financave.
Kërkesat për të marrë një rrugë me koncesion do të miratohen ose rrëzohen në afate dhe kritere të përcaktuara. Në çdo rast do të jenë tre ministra përgjegjës, përfshirë atë të Financave, për ndjekjen e procedurave. Kjo është një nga elementët kryesorë të vendimit të qeverisë “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion ose partneritet publik privat (PPP) të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve”. Këto rregulla përcaktojnë veprimet përgatitore për dhënien e një kontrate me koncesion ose PPP. Një koncesion i tillë nis me vlerësimin e pranueshmërisë, përmbajtjes dhe trajtimit të propozimeve të pakërkuara, (pra të paraqitura nga vetë të interesuarit). Ndërkaq caktohet procedura për vlerësimin dhe miratimin e projekteve të koncesionit/ PPP që kërkojnë mbështetje financiare, kur ato paraqesin rëndësi të veçantë për infrastrukturën rrugore të vendit. Qeveria, për qëllime të zbatimit të këtyre rregullave, ka vendosur se kufiri i ulët monetar është 5 milionë lekë. Vetëm projekti që përmbush të gjitha kushtet mund të vijojë me shpalljen e procedurës së dhënies me koncesion/PPP, ose të paraqitet për miratim në Ministrinë e Financave.















