Yllka Tafilaj, 26 vjeç, nënë e dy fëmijëve, kishte shkuar disa herë në polici për të denoncur kërcënimet e të afërmve të ish –bashkëshortit të saj. Askush nuk e kishte marrë seriozisht e madje e kishin quajtur edhe të çmendur. Dy ditë më parë ajo u bë viktimë e çmendurisë së atyre që e kërcënonin; u dhunua barbarisht nga xhaxhai i ish –bashkëshortit.
“Po shkoja në rrobaqepsi me çunin, (5 vjeç) e kisha kapur për dore. Kalova aty pranë ishte xhaxhai në rrugë po llafosej e kapi djalin prej rrobash dhe prej krahu. Unë i thashë pse e kap ashtu me dhunë, lëre! P astaj nuk e di rashë pa ndjenja në tokë, nuk e di sa herë më qëlloi…Kur u ngrita shkova në polici, ata më çuan në spital” –thotë ajo në rrëfimin e saj.
Është transportuar në spitalin e Gjirokastrës, me hematoma e dëmtime të tjera në fytyrë e në trup. Personi që ka vënë dorë mbi të është M.Tafilaj. Grindjet mes tyre vijojnë që kur 26 –vjeçarja humbi bashkëshortin e saj në një aksident rrugor. Edhe ajo u plagos në këtë ngjarje. Pas kësaj, të afërmit e bashkëshortit kanë tentuar disa herë t’i marrin fëmijët. Nuk pranonin që t’i rriste ajo: “Ose të venë në jetimore, ose i marrim ne” –i kishin thënë disa herë.
Ajo jeton me dy fëmijët 5 dhe 6 vjeç në një banesë me qera, në qytetin e Tepelenë. Të ardhurat e vetme janë ato që merr nga kempin që ka fituar pas aksidentit. Kërkon ndihmën e shtetit jo vetëm për ta kapërcyer këtë situatë, por edhe për t’u siguruar fëmijëve një jetë më të mirë. Për ata që ia kanë bërë jetën ferr me kërcënime ka vetëm një mesazh: “edhe sikur të më vrasin, do ngrihem nga varri për fëmijët e mi”.















