…filmit me regji dhe skenar të Iris Elezit dhe Thomas Logorecit
Nga Julian Bejko
Një gjëmë e madhe ka ndodhur. Një përvojë e tmerrshme për të cilën mezi kujtohemi dhe kuptohemi. Diçka ka mbetur në përfundim. Rrënoja dëshmuese e të gjalla që përpëliten si peshku pa ujë në kërkim të ajrit, pothuajse në një stad evolutiv drejt tokës në krijimin e Njeriut. Deti është tërhequr pas një apokalipsi të madh natyror që me zemërgjerësi hyjnore lejon ribërjen e formave të jetës. E kundërta e një Waterworld-i (Kevin Reynolds, 1995) distopik, këtu ndodhemi në një post-distopi shpresëdhënëse por të vështirë, në gjetjen e harmonisë së duhur mes forcave të detit dhe tokës. Të dënuar e të vetëndëshkuar, natyra tregohet përsëri bujare me njeriun, amfibin përjetësisht të pavendosur e të grindur. Por Natyra, kjo nënë fantastike i ofron njeriut tashmë shtrat-zaninë e saj që të lindë një jetë tjetër, një mundësi që i hapet një populli të gjymtuar nën makthin e një gjendjeje somnambulizmi që shpesh luhatet mes ëndrrës dhe ankthit. Uji është larguar tutje dhe ne zbulojmë fosilet e gjalla dhe themelet e dikurshme të një mjerimi të heshtur që kërkon të gjejë zërin e tij të mekur nën jehonën ishullore të një moçali.
Ngjarja e filmit është e papërcaktuar në mënyrë të saktë kohore. Ndoshta jemi në dekadën e parë të tranzicionit post-diktatorial, mbase në dekadën e dytë. Arkipelagu i gulagut të regjimit të shkuar është ende i pranishëm teksa njerëzit e internuar dikur po fillojnë rimëkëmbjen e tyre. Dielli pranveror dhe puhiza e erës bashkë me sajesat e para të sipërmarrjeve të mbijetesës shënojnë kurimin gradual të lëngatës së gjatë. Veçse bota e tyre është sërish e ngecur midis së shkuarës dhe së ardhmes së panjohur duke kërkuar një kompromis kilometrash.
Amnezia dhe skleroza pengojnë pranimin e kapitullimit edhe pse pas stuhisë gjysmëshekullore, individët e internuar ballafaqohen me të vërtetën e të afërmve të tyre të pushkatuar. Mirëpo kjo dëshirë për të njohur historinë e tyre është kalimtare dhe aksidentale (është përsëri shteti, gjykatësi arkeolog i mortit) kundrejt dëshirës për të harruar e groposur njëherë e mirë të kaluarën. Njerëzit vdesin pa ndonjë keqardhje të madhe për ndjenjat e të gjallëve. Natyrisht, për ata që kanë jetuar me vdekjen e atij kampi moçalor që nuk bënte pjesë në reformat e mëdha bonifikuese të shtetit, fundi i jetës ishte vulosur qysh në lindje.
Subjekti i filmit artikulohet rreth këtij realiteti post-traumatik shqiptar që vijon ende sot – kjo e bën filmin sa historik dhe aktual. Personalisht mendoj se poetikisht Bota mund të radhitet kah filmave si Vanishing Point (Richard C. Sarafian, 1971) apo On The Beach (Stanley Kramer, 1959), kuptohet, kryesisht lidhur me ndjenjën e fundit të një ndodhie, të një përvoje dhe zbrazëtinë që vjen vetvetiu.
Ndodhemi në një vend të përhumbur por të rizbuluar nga proceset modernizuese që shtrijnë rrugët e përfitimeve ekonomike dhe lidhin copëza fragmentesh për t’i afruar me qendrat urbane. Në këtë pikë, filmi paraqet diçka të ngjashme me një ndër kryeveprat e kinemasë botërore të regjisorit italian Sergio Leone (C’era una volta il West, 1968). Veçse nuk kemi të bëjmë me një kapitalist hekurudhash siç është personazhi i Morton-it në Far West-in amerikan të shek. XIX, por me një sipërmarrës italian (Luca Lionello) që shtron rrugë asfalti, po ato rrugë të nisura në vitet ’30 nga personazhi i Alberto-s (Guljelm Radoja) dhe homologët e tij në filmin Gjeneral gramafoni të Viktor Gjikës (1978).
Në lokalin e botës së drunjtë të ngritur rrufeshëm nga një matrapaz tipik i tranzicionit, Beni (Artur Gorishti), i cili ka zaptuar gjithashtu No man’s land-in e tij, shohim të mishërohen ethet e progresit shqiptar pa shumë skrupuj nga njerëz të zhveshur nga parime morali që përpiqen t’i mbijetojnë përplasjes së botëve. Në fakt moderniteti, progresi dhe demokratizimi ynë shquhet nga akte depersonalizimi dhe imoraliteti që shkojnë deri në heshtje kundrejt vrasjes.
Por këtu, përveç modernitetit të parë shqiptar të viteve ’50-’60, jemi në një fazë të dytë të tij, me një dallim: këta njerëz të syrgjynosur e të nakatosur në një zonë internimi midis Lushnjes dhe Fierit nuk kanë pësuar asnjë proces emancipimi socialist, ata nuk kanë jetuar e përfituar asgjë të mirë. Nëpërmjet muzikës së ngrohtë të Anita Takes dhe Rudolf Stambollës, tingujt e tangos shqiptare të shpien në të shkuarën e këtyre viktimave, në vitet ’50-’60, kur ata ishin ende anëtarë të një shoqërie e ndoshta trashëgimi e një kulture qytetare të varrosur e të asfaltuar nga bitumi qarkullues i kulturës së re liberale.
Në film mesazhi i autorëve në vizatimin e qëllimeve dhe veseve të një grupi të vogël njerëzish nuk mund të keqkuptohet. Plebenj skllevër të një rendi dramatik, kritika jonë e rafinuarmoralizuese ndaj veprimeve dhe jetës së këtyre njerëzve, nuk ngre asnjë problematikë veçse pohon gabimisht se e keqja vjen prej tyre. Barra morale dhe përgjegjësia duhet të bjerë mbi ne të tjerët që kemi mbjellë apo lejuar të çelë e keqja në shoqëri, larg fushëpamjes sonë, me pretendimin se ishte e nevojshme apo e pashmangshme. Në një perspektivë të tillë, filmi është plotësisht realist pa tjetërsuar konditat shoqërore në fjalë si dhe duke mundësuar kritikën ndaj pjellës sonë.
Këta njerëz nuk janë thjesht ish të internuar – një nga termat më abuzivë të themelimit tëdemokracisë shqiptare. Mbi emërtimet ish i internuar apo ish i burgosur politik janë ngritur struktura shtetërore dhe njësi jo qeveritare të cilat në emër të kompensimit, dëmshpërblimit, diskutimit opinionistik rreth trupit të martirit etj., kanë përdorur viktimat e një regjimi për t’i vrarë në pritje të sqarimeve të një regjimi tjetër vrasës. Personazhi i nënë Nojes (Tinka Kurti) së mjerë sklerotike vuan pikërisht zgjidhjen e enigmës së vajzës së saj, e pushkatuar nga njerëz të një regjimi. Një vdekje që shpirti dhe zemra e saj nuk e pranon; sqarimi i torturave dhe vrasjeve është shtruar në epokën tonë si zbulimi përfundimtar i krimeve dhe rrjedhimisht, si groposje e atij kapitulli përkrah viktimave kur në fakt,aty duhet të fillonte një diskutim i gjatë etik dhe shoqëror.
Profilet e dy vajzave në film, Juli dhe Nora (Flonja Kodheli dhe Fioralba Kryemadhi) janë sa të ndryshme dhe të njëjta në gjetjen e një rrugëdaljeje nga kjo botë moçalore. Juli ruan çuditërisht një forcë dhe një etikë falë së cilave ia del t’i shpëtojë humbëtirës drejt papërcaktueshmërisë së jetës në qytet, në kërkim të një dashurie të mundshme. Ajo nuk është femra e zhgënjyer prostitutë (Claudia Cardinale) e West-it të Leone-s që shkon drejt provincës për të themeluar qytetin e ri të proletariatit industrial. Por imagjinohet se çfarë do mund t’i ndodhë asaj në aventurën e metropolis-it shqiptar…Përkundrazi, Nora është mishërimi i epshit, i vallëzimit dhe dehjes dionisiake, libidos dhe naivitetit sharmant të njeriut provincial me maskën e lustruar të libertines së emancipuar. Ajo ka një lidhje intime me Benin, i cili është njëherazi i martuar, duke shpresuar prej tij garantimin e një jete tjetër. E mbetur shtatzënë për të disatën herë, Nora do të vdesë aksidentalisht teksa orvatet për të vjedhur paratë e Benit, i cili në mes të errësirës e shtyn gabimisht nga tarraca botërore e lokalit të tij për ta groposur me shpejtësi në agim, drejt baltovinës së botës tjetër nën këmbët e botës e premtuar. Potencialisht të dyja janë viktimat e radhës në proceset e mëdha migratore shqiptare.
Në përfundim të kësaj analize të shkurtër mund të themi se filmi është një sukses dhe arritje e plotë, projektimi i të cilit na shtyn dhe na detyron të reflektojmë gjatë mbi shoqërinë tonë larg skemave déjà-vu. Atmosfera është konkrete, por e gërshetuar me elementë magjikë falë fotografisë fantastike plot ngjyra dhe ndjesi pa u tepruar me klishenë e ringjalljes së shpejtë. Ngjarja dhe rrjedha e saj është e ngadaltë, në disa raste e lodhshme qëllimisht. Krijuesit e filmit janë treguar mjaft të zotë duke trajtuar ngjarjen falë introspeksionit në shpirtin dhe materien e një bote të tillë, e parë nga brenda dramës dhe jo me sytë e kolltukofagëve tëelitave urbane. Ky realitet s’mund të jetë euforik, por i plagosur dhe i lënduar thellë, e megjithatë ai pulson në një shpresë, nisur nga përvoja dhe rrënojat e një tragjedie kombëtare.
*Julian Bejko PhD, është profesor pranë Departamentit të Sociologjisë,
Universiteti i Tiranës. Autor i studimit *Shoqëria e Kinemasë (Vëll. I dhe
II), në të cilin studiohet shoqëria shqiptare në historinë dhe
kompleksitetin e saj përmes imazheve kinematografike.



















