Në fillim ndihen lëkundjet e forta të tërmetit, më pas mëson se qendra e tërmetit ka qenë shumë pranë zonës ku ndodhet i biri dhe telefonon për të mësuar si është.
Komunikimi në telefon me djalin e saj e ka qetësuar disi por zemra e nënës nuk qetësohet derisa të prekë dhe përqafojë vetë djalin e saj. Prandaj është nisur menjëherë me makinë drejt Norcias për të kryer detyrën e gazetarit por dhe të nënës.
“Kam udhëtuar gjithë natën me makinë drejt kësaj komune. Forcat zjarrfikëse dhe policia po na devijonin shpesh rrugën pasi ka dëmtime të rrugëve.
Ai është në gjëndje të mirë por unë ende nuk e kam parë. Më tregoi se gjatë natës ka pasur një zhurmë të tmerrshme, janë thyer orenditë e hotelit”. Pas disa orësh gazetarja Alba Kepi mbërriti në hotelin ku ndodhej djali për ta përqafuar dhe tregon se dhoma e tij kishte pësuar 18 krisje muri.
Ndërsa gjatë gjithë ditës ajo raporton për redaksinë e Ora News, se çfarë po ndodh në zonat e prekura nga tërmeti i rëndë.























