Artisti i Popullit Robert Ndrenika pas problemeve me zemrën është shtruar në spital për mjekim. Mësohet se aktori i njohur ka shkuar vetë në urgjencë, pasi nuk është ndjerë mirë dhe ka pasur një gjendje dobësie. Aktori Robert Ndrenika, 73-vjeçar, po mjekohet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dhe sipas mjekeve ai ka domosdoshmëri ndërhyrjen kirurgjikale dhe i duhet të kryejë një by-pass në zemër. Ai po ndiqet nga shefi i kardiologjisë në QSUT, Artan Godo.
Ndërkaq që për shkak të gjendjes së tij shëndetësore aktori Robert Ndrenika e ka të pamundur të jetë në skenë, duke ndërprerë këto kohë dhe aktivitetin artistik. Për publikun aktori i njohur Robert Ndrenika do të ishte në skenë më datën 16 janar në premierën teatrore “Tartufi”, ku kishte rolin kryesor. Vepra e Molierit do të vinte në skenë me regji të Erion Kames, i cili për gazetën bëri të ditur se premiera do të shtyhet në muajin maj, pasi sipas tij vepra nuk mund të vijë në skenë pa aktorin e madh Robert Ndrenika. Por zëvendësimin për premierën me një tjetër shfaqje teatrore e ka bërë të ditur dhe vetë teatri.
“Teatri Kombëtar njofton spostimin e detyrueshëm të premierës “Tartufi” për në muajin Maj të Kalendarit Teatral 2015, për arsye të gjendjes shëndetësore të aktorit të mirënjohur Robert Ndrenika. Ju bëjmë me dije se shfaqja “Tartufi” do të zëvendësohet në ditët e Kalendarit Teatral nga shfaqja “Shtëpia pa dritare” e cila do të vihet në skenë përkatësisht në datat 17 dhe 18 Janar 2015”, thuhet në njoftimin zyrtar të Teatrit Kombëtar. Në vitin 2012, aktori i madh Robert Ndrenika iu rikthye skenës shqiptare pas një mungese 4-vjeçare me premierën e shfaqjes “Doktor Shuster” me regji të Spiro Dunit. Aktori erdhi në skenë në rolin e protagonistit, Doktor Shusterit, një model njerëzor në një situatë të përmbysur vlerash në postkomunizëm, ndërsa në premierën “Tartufi” aktori do të interpretonte personazhin e Orgonit. Robert Ndrenika lindi më 1942. Ka qenë ndër aktorët që ka pasur ngarkesën më të madhe në teatër dhe kinematografi. Nga dramaturgjia kombëtare, midis të tjerash, ka interpretuar: “Besa” e Sami Frashërit, “Ura” e Minush Jeros, “Prefekti” i Besim Levonjës, “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, etj. Në kinematografi ka interpretuar mbi 30 filma, midis të cilëve mund të përmendim “Horizonte të hapura”, “I teti në bronz”, “Kapedani”, “Shtigje lufte”, “Në shtëpinë tonë”, “Koncert ne vitin 1936”, etj.


















