Këshilltari për media i kryeministrit Isa Mustafa, Faton Abdullahu, thotë se partnerët e koalicionit nuk hezitojnë që të hyjnë kësaj pune.
“I kanë hyrë në të vërtetë tash e sa kohë, duke përcjellë performancën e dikastereve. Riformatimi do të jetë goxha i gjerë dhe i thellë, duke u munduar që të arrijnë rezultate në dy sfera, në njërën atë të zvogëlojnë numrin e dikastereve, dhe në anën tjetër të zvogëlojnë aty ku nuk preket efiçienca, shpenzimet e ndryshme që mund të jenë të tejkalueshme pa prekur efiçiencën”, tha Abdullahu për Radio Kosovën.
Qeveria Mustafa është kritikuar në vazhdimësi për numrin e madh të ministrive dhe për zëvendësministrat, por kohëve të fundit, partnerët e koalicionit e kanë përmendur mundësinë e zvogëlimit të numrit të ministrive.
Deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, thotë se Qeveria do duhej ta përgjysmonte numrin e ministrave.
“Unë kam përshtypjen se as vetë Isa Mustafa si kryeministër nuk e di se sa e ka të madh kabinetin qeveritar, sepse për çdo ditë ka emërime, sidomos në rangun e dytë, atë të zëvendësministrave. Përndryshe, unë mendoj se Qeveria nuk duhet t’i ketë më shumë se 11 ministri, për të mundur të jenë edhe azhurë edhe për ta kursyer buxhetin e Kosovës”, tha Berisha për Radio Kosovën.
Nga ana tjetër, tash e disa muaj Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ajo e Integrimit Evropian, drejtohen nga zëvendësministrat. Zafir Berisha thotë se mosemërimi i ministrave bëhet me qëllimin që koalicioni të joshë deputetë që t’i arrijë votat për çështjet të rëndësishme, siç është demarkacioni me Malin e Zi.
“Vetë përfoljet se mund të emërohet një zëvendëskryeministër, i cili publikisht si deputet ka dalë kundër demarkacionit, tregon se riformatizimin mund ta shfrytëzojnë edhe për arritjen e qëllimeve jo të favorshme për vendin”, tha Berisha.
Deputeti Ramiz Kelmendi, si njëri prej kundërshtuesve të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, është përmendur si emër i mundshëm për zëvendëskryeministër të dytë, pas largimit nga ky post të Kujtim Shalës, i cili ka zgjedhur ta mbajë vetëm postin e ministrit të Kulturës.






















