Një shikim i shpejtë në arkivin online të Kuvendit të Kosovës, mund të gjesh shumë rezoluta gati për gjithçka, por të cilat në praktikë janë zbatuar fare pak, raporton lajmi.net.
Madje disa prej këtyre Rezolutave, tash nga distance kohore, mund të duken edhe paksa utopike sikurse ajo për marrjen e kodit telefonik të Shqipërisë dhe funksionalizimi i tij në Kosovë.
Me 23 korrik 2015, Kuvendi miratoi Rezolutën me ët cilën e ftonte në atë kohë, Presidenten Atifete Jahjaga, që t’i kërkonte Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Frederica Mogherini, inicimin e hetimit institucional për çdo rast të cituar për stafin e EULEX-it në raportin që zyrtarët e BE-së e kanë hartuar.

Me 25 qershor 2015, Kuvendi kishte miratuare dhe një Rezolutë për çështjet kufitare. Në pikëne fundit shkruan se: “Të fillojë demarkacioni i kufirit me Serbinë, sipas kufijve të përcaktuar të territorit të vitit 1974”.
Se si qëndron situata me zbatimin e kësaj pike, krejt e kanë të qartë. Kuvendi nuk po arrin ta ratifikojë as marrëveshjen për demarkacionin me malin e Zi, kurse për përcaktimin e kufirit me Serbinë, as që është ën diskutim.
Me 5 shkurt 2015, një tjetër rezolutë ishte miratuar nga Kuvendi. Ndër shumë pika, ajo kërkonte edhe krijimin e fondit për pengimin e migrimit ilegal. Krejt kjo pasi atë dimër, mijëra kosovarë ia mësynë vendeve të Evropës në mënyrë ilegale.

“Angazhim më i madh i Qeverisë së Republikës së Kosovës në zhvillimin ekonomik, me theks të veçantë në shtimin e vendeve të reja të punës për qytetarët e Kosovës”, shkruante një pikë tjetër.
Se sa është rritur numri i të punësuarve, e tha edhe vetë kryeministri, sipas të cilit vetëm 18 mijë veta e kanë arritur këtë, derisa çdo vit mbi 22 mijë persona hyjnë në tregun e punës, raporton lajmi.net.
Një shikim i shpejtë i këtyre Rezolutave, sjell në vëmendje se as vetë deputetët nuk e kanë pasur të qartë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen e afërt.
Kështu me 25 korrik 2013, ata kanë miratuar një Rezolutë tjetër ku në njërën nga pikat e saj shkruan se “Kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës të propozojë planin për ngritjen dhe plotësimin e strukturave të reja që do t’i zëvendësojnë strukturat e EULEX-it”.

Të gjithë e dinë se EULEX-i jo vetëm që nuk ka shkuar, por ende është shumë aktiv edhe sot pas tre viteve nga kjo Rezolutë.
Një tjetër ishte miratuar edhe me 18 tetor 2012 e që fliste për dialogun Kosovë-Serbi që në atë kohë pritej të fillonte.
Por janë pikat 5 e 6 të asaj Rezolute që për të mos thënë asnjëherë, mund të thuhet se pak janë respektuar.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e obliguar që të raportojë rregullisht për procesin e normalizimit të relacioneve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë në Kuvendin e Kosovës”.
Një gjë e tillë ka ndodhur vetëm disa herë pavarësisht se shumë marrëveshje janë nënshkruar, raporton lajmi.net.

“ Marrëveshjet e procesit të normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve do të ratifikohen nga Kuvendi i Republikës se Kosovës”.
Asnjë prej këtyre marrëveshjeve të arritura në Bruksel, nuk janë ratifikuar në Kuvend.
Një tjetër Rezolutë që tashmë mund të duket edhe qesharake është ajo e zëvendësimit të kodeve telefonike që përdoren nga operatorët në Kosovë, me prefiksin e Shqipërisë +355.

Në rezolutën e miratuar me 6 shtator 2012, madje shkruante se: “Në funksion të realizimit të këtij qëllimi, brenda një kohe shumë të shkurtër, t’i iniciojë negociatat me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë”.
Zbatimi i kësaj Rezolute jo vetëm që nuk ka ndodhur kurrë, por atë nuk e ka zënë më askush në gojë,e dhe pse jo vetëm Presidentët, kryeministrit e ministrat e Kosovës e Shqipërisë janë takuar individualisht, por janë mbajture dhe mbledhje të përbashkëta të Qeverive, e askush nuk është marrë më me këtë çështje.





















