Dy ministra të qeverisë Rama e cila po rend drejt muajve të saj të fundit të sundimit, kanë pësuar goditje të forta diskredituese këto ditë.
I pari, ishte ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj, mbi të cilin prej kohësh rëndojnë akuza si ideator dhe ekzekutues i një koncesionimi aq agresiv dhe aq klientelist të shërbimeve spitalore saqë aktualisht ajo çka u ka mbetur të administrojnë vetë spitaleve në spitale janë thjesht tullat e godinave.
Një përgjim telefonik, për të cilin kurrë nuk u bë e qartë sesi u realizua, e devijoi me lezet vëmendjen e publikut nga veprimi shkatërrimtar i qeverisë mbi shëndetësinë, tek militantizmi fanatik i një ministri që e shkarkon vartësin e vet – siç duket të emëruar për merita politike – për shkelje disipline partiake.
E dyta ishte ministresha e arsimit, Lindita Nikolla. Kjo e fundit ishte lakuar si pagëzorja e një operacioni trevjeçar me anë të të cilit fillimisht gati u barabitën tarifat e regjistrimit në universitetet publike me ato private. Hapi i dytë pasandaj ishte ndërtimi i një skeme paniku që i detyroi maturantët e frikësuar nga moskualifikimi, të turren me mijëra në shitoret private të diplomave që befas u dukën jo edhe aq të tmerrshme në çmim, krahasuar me ato publiket.
Një vajzë e re, me gjasë e motivuar sinqerisht prej kësaj situate, e spërkati ministren me salcë në një akt publik turpërimi sa të përshëndetur për kurajon aq edhe të kritikuar për metaforizimin e sforcuar të protestës së saj me salcën.
Të dy këta ministra, personazhe karikaturikë të një qeverie të shpartalluar moralisht në të gjitha hallkat e saj, sigurisht e meritojnë të diskreditohen përditë, edhe kot për qejf. Kërkesat për dorëheqjen e tyre, të cilat nisën të dëgjohen më zëshëm pas situatave që i vunë ata në shënjestër, tingëllojnë gjithashtu, tërësisht me vend.
Mirëpo ta refuzosh në tërësi një qeveri e cila i ka shpallur në mënyrë të organizuar luftë interesit publik është një gjë. Ndërsa një gjë krejt tjetër është të shënjestrosh ingranazhet defektoze të këtij mekanizmi qeveritar, duke kërkuar zëvendësimin e tyre me pjesë të reja e të grasatuara këmbimi që mbajnë në punë po atë makineri shkatërrimtare.
Me një qeveri të papranueshme për modelin e saj qeverisës, të kërkosh ndërrimin e ndonjë emri me ndonjë emër tjetër do të thotë të mohosh natyrën destruktive dhe kredon antipopullore të kësaj qeverie. Do të thotë ta quash atë të mirë në thelb dhe të korrigjueshme në praktika të veçanta – të ekspozosh dëshirën tënde për thjesht përmirësimin e disa ekseseve të qeverisë dhe në fund të fundit, kjo dëshmon mëshirën tënde për të.
Tani, hamendësimi se kush tjetër përveç vetë qeverisë apo veglave të saj do të ishte i interesuar për këtë servis të qeverisë është punë absolutisht e kotë në një kontekst kaq masiv neverie publike që kabineti Rama ka arritur me sukses të arkëtojë brenda tre vjetësh e kusur në timonin e vendit.
Në këtë kuptim edhe pse u pandye se gjunjët e qeverisë u drodhën për shkak të dy akteve që vokalizuan me bujë nevojën për zëvendësimit e dy prej ministrave të saj, në të vërtetë ka të ngjarë që ky sapun të mos ketë edhe aq përmbajtje të lartë djathi sa ç’u pretendua në fillim.
Zaten, përveçse nëpërmjet zjarrmisë përvëluese të entuziazmës revolucionare, ka edhe një mënyrë tjetër për t’i analizuar përfituesit dhe të dëmtuarit brenda kësaj rrëfenje me ministra, përgjime, atentate guerrilase dhe gjak artificial prej salce. Në këtë serial me dy episode të transmetuara brenda dy ditësh, shumëçka duket e dyshimtë.
Është e dyshimtë në radhë të parë forma në të cilën këta dy ministra “diversantë” u bënë shembull. Në një shoqëri me mendim kritik, denoncimi i abuzimit të përditshëm të pushtetit me qeverisjen është një proces këmbëngulës dhe prozaik ankese të përditshme e refuzimi të vazhdueshëm. Është një konstante mosbindjeje civile dhe rezistence të kapilarizuar e kësisoj jo vetëm të paekranizuar, por edhe të paekranizueshme.
Por këto dy akte të njëpasnjëshme e të dyshimta duket se nuk janë asgjë nga këto. Karakteri i tyre spektakolar dhe skandalistik duket si i programuar prej dikujt që ka pasur në mendje një shoqëri të reduktuar në audiencë spektakli e skandalistike.
Është e dyshimtë së dyti përzgjedhja, jo edhe aq rastësore e dy të goditurve, përgjegjësit për shëndetësinë dhe asaj arsimin. Arsimi dhe shëndetësia, dy sektorët ku qeveria këmbëngul se ka bërë punën e saj më të shkëlqyer, pas një përkthimi të neoliberalçes në shqipe të ditëve tona, do të thotë se janë dy sektorët më pësues prej saj.
E vërteta është se për një qeverisje djathtiste si kjo e Ramës, arsimi dhe shëndetësia personifikojnë atë territor ku gërryejtja që politika neoliberale i bën publikes është më së shumti e ekspozuar. Janë një pikë e pashmangshme kontakti e arbitraritetit me interesin direkt të qytetarëve – e kësisoj, një zonë që përkon detyrimisht me një përmendje nga narkotiku i ekonomisë së tregut për ata që i bien në të se dija dhe shëndeti janë një e drejtë njerëzore që s’bën të tregtohet.
Ministrat e këtyre sektorëve janë ata që harxhohen më shpejt në qeveri të tilla djathtiste, për shkak se në vendin ku ata i kanë instaluar për të brejtur publiken, gënjeshtra e madhe neoliberale bie më shpejt në sy.
Andaj, të fokusosh vëmendjen e publikut në ngjarje që nxjerrin në pah lodhjen dhe diskreditimin për këta kuaj edhe ashtu të mbaruar, është një rikarikim i mirë baterie për çdo kryeministër të vënë me shpatulla për muri i cili kërkon të blejë kohë.
Së treti është e dyshimtë sjellja e makinës së sinkronizuar të propagandës ndaj këtyre dy ngjarjeve. Në kushtet kur nuk ka më asnjë dyshim gllabërimi total dhe totalitar që kjo qeveri e obsesionuar me imazhin e vetes i ka bërë medias konvencionale, promovimi frenetik që pikërisht kjo media u bëri këtyre dy akteve në dukje anti-qeveritare, duhet të na bëjë që minimalisht t’ua nënshtrojmë ato skepticizmit.
Se sa efikase është embargoja mediatike mbi ngjarje që nuk i leverdisin kësaj qeverie, mund ta konstatojmë po të krahasojmë bllokadën katërditore që media tek ne i bëri protestave masive kundër armëve kimike, apo zhdukjes nga ekranet të sa e sa revoltave të vogla lokale gjatë këtyre viteve, grevave të punëtorëve nga jugu në veri apo edhe masakrimit të Ardit Gjoklajt pak muaj më parë.
Andaj, toleranca bashkëpunuese e një përbindëshi kaq të sofistikuar censure si ky që ka nën kontroll kjo qeveri, për flakjen spektakolare në gojën e uritur të opinionit publik të dy prej ministrave më të panevojshëm të kabinetit, përbën një gërshetim krejtësisht të papërtypshëm rrethanash.
Të gjitha shenjat tregojnë se Edi Rama është vënë në kërkim të dëshpëruar të një narrative justifikuese për të fituar një mandat të dytë. Zgjedhjet e reja po afrojnë dhe dita kur do të lahen hesapet është tek pragu.
Me një qeveri që i dështoi në mënyrë të rrokopujshme në mandatin e saj të parë dhe me një argument fajësimi si Saliu që i përket tashmë prehistorisë, atij i duhet patjetër të fashitë flakët e pakënaqësisë që kërkojnë shpagim. E për të arritur këtë rezultat, ky autokrat dinak dhe i djallëzuar do të përdorë çdo taktikë, do të aktivizojë çdo sejmen e do të vërë në lëvizje çdo gur.
Le të jemi pra më shumë mosbesues e më pak naivë. Të mos ndërtojmë virtualitete heronjsh e të mos nisim ëndërrimin me sy hapur për një revolucion që ka nisur të shkrepë shkëndija televizive. Si minimum, heronjtë e vërtetë i takojnë anonimatit, ndërsa revolucioni – siç dihet – nuk do të transmetohet në televizor.























