EULEX-it njoftou se Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e Ukë Rugovës ndaj caktimit të masës së paraburgimit prej 30 ditësh nga gjykatësi i procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinësm të shtunën e kaluar, më 21 qershor 2014.
“Sot, Gjykata e Apelit refuzoi ankesën e U.R. kundër paraburgimit, të caktuar nga gjykatësi i procedurës paraprake, më 21 qershor 2014.
U.R fillimisht u arrestua më 5 shkurt 2014 dhe më pastaj u paraburgos.
Gjykata e Apelit më 19 qershor 2014 ndërpreu paraburgimin, sepse vërtetoi se arrestimi i tij fillestar dhe paraburgimi nuk ishin në përputhje me Nenin 75 (2) të Kushtetutës së Kosovës. Gjykata e Apelit në të njëjtin vendim diskutoi në mënyrë të veçantë edhe faktin se në maj 2014 Kuvendi i Kosovës u shpërnda, dhe mandati U.R. si deputet përfundoi, dhe për këtë arsye ai më nuk përfiton nga kufizimet bazuar në nenin 75 (2) të Kushtetutës së Kosovës.
Megjithatë, Gjykata e Apelit theksoi se ky fakt pasues nuk korrigjon lëshimet në procedurën që rezultoi me vendimin fillestar dhe zgjatjen e paraburgimit. Në anën tjetër, Gjykata e Apelit vuri në dukje se prokurori special nuk ishte penguar të kërkonte ri-arrestimin e tij nëpërmjet një procedure të re.
Prokurori special e bëri këtë dhe arrestoi sërish të pandehurin menjëherë pas lirimit të tij më 20 qershor 2014. Gjyqtari i procedurës paraprake ka urdhëruar paraburgimin e U.R. për një periudhë prej një muaji në përputhje me nenet 187 dhe 189 KPP.
Gjykata e Apelit ka vërtetuar se kushtet për paraburgim të të pandehurit, duke pasur parasysh situatën e re, janë plotësuar dhe tani e ka hedhur poshtë ankesën e mbrojtjes si të pabazuar”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.
Mbrojtja e Ukë Rugovës kishte shfaqur shpresën se Gjykata e Apelit do të merrte vendim për lirim nga paraburgimi.
Avokati slloven Boshtjan Penko, mbrojtës i Ukë Rugovës, e ka cilësuar të pashembullt arrestimin e Rugovës pas vendimit të gjykatës për lirim nga paraburgimi. Në një intervistë për televizionin Klan Kosova, ai ka thënë se gjatë përvojës së tij 25 vjeçare si avokat nuk ka parë dhe dëgjuar një rast të tillë.
“Unë kam 25 vjet përvojë dhe asnjëhere nuk kam parë një situatë të tillë, që dikush të lirohet nga një gjykatë më e lartë, e pastaj të arrestohet nga prokuroria, në vend që të zbatohet vendimi i gjykatës”, ka thënë Penko.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...














