RUDINA HOXHA
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Nicolas Cannon, nënvizon se Shqipëria po arrin një moment vendimtar në procesin e reformimit të sistemit të drejtësisë, prandaj edhe forcat duhet të shumëfishohen më qëllim që kjo reformë të jetë autentike
“Nëse shikojmë 5 kriteret bazë që Shqipëria duhet të plotësojë për të hyrë në BE, reforma në drejtësi nuk është një kriter i vetëm, por tri kritere e gjysmë. Është reforma në drejtësi, kriteri bazë dhe e lidhur me të, është lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe zgjidhja e çështjes së pronës. Të gjitha këto janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën”, nënvizon ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Nicholas Cannon, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shqip”. Ambasadori nënvizon se Shqipëria po arrin një moment vendimtar në procesin e reformimit të sistemit të drejtësisë, prandaj edhe forcat duhet të shumëfishohen me qëllim që kjo reformë të jetë autentike. “Nëse kjo reformë dështon ose perceptohet si një reformë false ose një reformë kozmetike, atëherë do të jetë shumë e vështirë të shikojmë se si mund të ecë përpara procesi i pranimit në BE. Dhe popullata do të jetë ligjërisht e zhgënjyer dhe mundësi si kjo nuk vijnë shpesh”, thotë ai.
Gjithashtu, z. Cannon vlerëson punën e suksesshme dhe me përkushtim të ambasadorit shqiptar në Britani, Mal Berisha, mandati i të cilit mbaroi së fundmi. “Mendoj se z. Mal Berisha mbajti kontakte të ngushta me Foreign Office, ministritë kryesore dhe institucione të tjera. Ai gjithashtu ngriti profilin e Shqipërisë në Londër dhe mobilizoi fort komunitetin shqiptar në Londër”, shtoi ai.
Sipas tij, interesi më i madh britanik është te turizmi në Ballkan, por edhe në sektorët e naftës dhe gazit.
Z.ambasador, çfarë drejtimi po ndjekin marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Britani? Cili është vizioni juaj për to dhe cilat janë sfidat me të cilat ju po ndesheni në këtë aspekt?
Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Shqipërinë. Nuk ka fusha specifike të cilat janë problematike në marrëdhënien tonë. Por sfida shfaqet në zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënies sonë dhe duhet të sigurohemi se të dyja palët po marrin maksimumin nga kjo marrëdhënie. Shqipëria është një aleat i çmuar brenda NATO-s. Vërtet kemi marrëdhënie shumë të mira dypalëshe në çështjet ushtarake dhe ato të sigurisë. Po ashtu edhe në fushën e arsimit. Ne mbështesim reformën në arsim në Shqipëri. Ne ofrojmë studime nën kuadrin e bursës Chevening dhe jam i kënaqur që disa nga ish-bursantët shqiptarë në këtë program mbajnë tashmë poste të larta në politikë. Kjo është një marrëdhënie pozitive, por ne duhet të punojmë për të. Ne nuk mund ta marrim njëri-tjetrin për të mirëqenë. Mendoj se kjo është një marrëdhënie që ende mbart potencial të pashfrytëzuar. Ja vlen një përpjekje nga ana e Shqipërisë dhe Britanisë.
Ju, si përfaqësues i Ambasadës Britanike në Shqipëri dhe ambasadori shqiptar në Britani, Mal Berisha, i cili e përfundoi së fundmi mandatin e tij, dukshëm u përpoqët fort dhe suksesshëm të promovoni vendet tuaja respektive. Sipas jush, kush ishte çelësi i suksesit?
Mendoj se z. Mal Berisha me shumë të drejtë u përqendrua në 3 fusha. Njëra ishte marrëdhënia politike me Britaninë e Madhe. Ai mbajti kontakte të ngushta me Foreign Office, ministritë kryesore dhe institucione të tjera. E dyta, ishte ngritja e profilit të Shqipërisë në Londër. Mendoj se ai ishte i suksesshëm në këtë drejtim nëpërmjet realizimit të shumë aktiviteteve kulturore. Ai organizoi një numër vizitash përfshirë atë të Presidentit të Republikës me praninë e anëtarëve të lartë të qeverisë, parlamentarëve dhe anëtarëve të familjes mbretërore. Këto e ngritën profilin e Shqipërisë në Britaninë e Madhe. Gjithashtu, ambasadori Berisha bëri të mundur vendosjen e një statuje të Heroit Kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeu në një shesh të Londrës. Gjëja e tretë që z. Berisha bëri ishte mobilizimi i komunitetit shqiptar në Londër. Me një ambasadë të vogël dhe burime të pakta, çelësi për t’i bërë gjërat është përfshirja e komunitetit shqiptar, ndërkohë që shumë prej përfaqësuesve të tij janë tashmë të integruar në shoqërinë britanike dhe janë pjesë e politikës ose biznesit. Dhe Diaspora shqiptare në Britaninë e Madhe është e madhe dhe mjaft e shtrirë. Ajo mbetet një aset i madh për vendin. Problemi është si të marrësh më të mirën e këtij komuniteti, si ta bësh atë të përqendrohet në atë që mund të bëjë jo vetëm për veten e saj dhe familjet e tyre, por edhe për vendin e tyre.
Sa i takon imazhit të Britanisë në Shqipëri, mendoj se është një imazh shumë i mirë megjithëse jua lë juve ta thoni. Imazhi i Britanisë këtu është ai i një miku të mirë të Shqipërisë, si një vend i cili ka një reputacion pozitiv në rajon dhe për mënyrën se si bën biznes. Ne kemi disa kompani në Shqipëri. Nëse marrim shembullin e Vodafone, është një kompani model sa i takon mënyrës se si bën biznes, në mënyrën se si i trajton punonjësit e saj dhe se si komunikon me shoqërinë. Kështu, kjo kompani kontribuon me reputacionin e saj në Shqipëri.
A ka diçka që po ju tërheq fort vëmendjen tuaj në skenën politike shqiptare?
Mendoj se është çështja e reformës në sistemin e drejtësisë. Po arrijmë në një moment vendimtar në procesin e reformimit të sistemit të drejtësisë. Janë paraqitur propozime shumë ambicioze lidhur me realizimin e kësaj reforme. Mendoj se kjo reformë është potencialisht transformuese për politikën dhe shoqërinë shqiptare. Potencialisht, ajo mund t’u ofrojë shqiptarëve mundësinë e një sistemi drejtësie të pastër që do ta lehtësonte luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por gjithashtu mendoj se do të ketë efekte ekonomike në promovimin e investimeve të huaja, si dhe efekte sociale (akses në sistemin e drejtësisë, qetësim të tensioneve sociale e të tjera). Nëse vërtet ne shikojmë një reformë autentike në sistemin e drejtësisë, mendoj se pastaj do të shohim një Shqipëri ndryshe dhe një Shqipëri shumë më të mirë që do t’i ofrojë shumë më shumë njerëzve. Kjo do t’i lehtësojë ecjen përpara në rrugën e pranimit në BE. Nëse kjo reformë dështon ose perceptohet si një reformë false ose një reformë kozmetike, atëherë do të jetë shumë e vështirë të shikojmë se si mund të ecë përpara procesi i pranimit në BE. Dhe popullata do të jetë ligjërisht e zhgënjyer dhe mundësi si kjo nuk vijnë shpesh. Kështu, ky është një moment vendimtar dhe një rrugë e ligjshme për të pasur një shpresë të mundshme, si dhe shqetësimin se ky proces do të kryhet si duhet. Gjithashtu, dua të theksoj diçka të rëndësishme. Nëse shikojmë 5 kriteret bazë që Shqipëria duhet të plotësojë për të hyrë në BE, reforma në drejtësi nuk është një kriter i vetëm, por tri kritere e gjysmë. Është reforma në drejtësi, kriteri bazë dhe e lidhur me të, është lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe zgjidhja e çështjes së pronës. Të gjitha këto janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën.
Në një intervistë me shtypin shqiptar, lordi britanik, Maclennan i Rogartit, i cili vizitoi Shqipërinë tetorin e kaluar, deklaroi se mënyra më e mirë për të luftuar korrupsionin është ekspozimi i elementëve të korruptuar nga të pakorruptuarit. Çfarë mendoni për këtë gjë?
Mendoj se kjo është e drejtë kur shpresohet se institucionet dhe sistemi i drejtësisë do ta bëjë çdo gjë vetë duke pasur kapacitetin për të identifikuar, ekspozuar dhe hequr elementët e korruptuar pa pasur nevojën e një ndikimi nga jashtë. Fatkeqësisht, kjo nuk ka qenë gjithnjë rasti në Shqipëri. Dhe në fakt, është demonstruar se sistemi i drejtësisë, për arsye strukturore, institucionale apo historike, nuk duket i aftë të çlirohet nga problemi i korrupsionit. Por pika kryesore që nënvizon Lord Maclennan është korrekte megjithëse është vendimi i komunitetit nëse dëshiron ose jo të jetë në një pozitë që të paguajë ryshfet për të aksesuar drejtësinë ose shërbimet publike. Opsioni për të mos paguar ryshfet është gjithnjë aty megjithëse shpesh ka pasoja negative kur nuk e bën një gjë të tillë. Thjesht duke refuzuar përfshirjen në transaksione korruptive është diçka që shumë njerëz në komunitet e përkrahin. Kështu tregu ku lulëzon korrupsioni po zvogëlohet. Lufta kundër korrupsionit shpesh paraqitet këtu si diçka që u kërkohet shqiptarëve për të mirën e dikujt tjetër, për përfitimin e europianëve ose amerikanëve ose të jashtmëve në përgjithësi, por është e kundërta, kjo është në përfitimin tuaj. Kjo nuk është një shoqëri alternative ku korrupsioni është një gjë e mirë ose përfituese. Nëse korrupsioni zhduket drastikisht në shoqërinë shqiptare, pastaj vendi është në një pozitë shumë më të mirë për brezat e rinj që do të vijnë. Nëse marrim rastin e emigrantëve që po lënë vendin e tyre. Më së shumti, ky fenomen po stimulohet nga perceptimi, jo vetëm i korrupsionit, por edhe nga perceptimi se në një farë mënyre, shoqëria është e padrejtë. Pra, ata kërkojnë një vend ku trajtohen më drejtësisht. Drejtësia, parashikueshmëria dhe sistemi i drejtësisë janë nevojat njerëzore bazë. Por i takon komunitetit të marrë frenat në dorë. Një shembull shumë i thjeshtë: në zgjedhjet e kaluara vendore, disa kandidatë ishin të njohur për rekordet e tyre kriminale. A doni vërtet të përfaqësoheni nga një person, i cili ka kryer një krim serioz? Shpesh krime të tilla nuk pranohen ose mbahen fshehur. A doni vërtet që njerëz të tillë të jenë në postin e kryetarit të bashkisë ose të jenë anëtarë të Parlamentit? Qartazi, përgjigjja është: “Jo.”
A keni një koment për deklaratën e fundit të ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin, sa i takon mospërputhjes së aseteve të gjyqtarëve me pagat e tyre?
Një nga mjetet kryesore që është përdorur në adresimin e çështjes së korrupsionit në disa shtete në rajon ose më gjerë është të shikosh mospërputhjen midis vlerave të aseteve të tyre me pagat e tyre. Në Shqipëri ka një sistem që i detyron zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët të deklarojnë asetet që posedojnë. Nëse vini re mospërputhjen midis aseteve me vlera shumë të mëdha të disa njerëzve, gjyqtarë në veçanti, në krahasim me pagat që ata marrin, pyetja më e dukshme është: nga vijnë këto para? Dhe kjo është një pyetje e arsyeshme për t’u bërë. Dhe këta persona janë të detyruar të japin shpjegime. Në disa raste, mund të ketë një shpjegim legjitim për ekzistencën e aseteve të tyre. Por në shumë raste, nuk ka një shpjegim legjitim dhe kjo duhet të jetë një arsye për të larguar dikë nga pozicioni që mban nëse nuk jep një shpjegim me bazë se nga vijnë këto para që ai/ajo posedon. Kështu, jam 100% dakord me ambasadoren Romana Vlahutin rreth kësaj pike.
Është e dukshme se korrupsioni është ai që pengon vërshimin e investitorëve të huaj në Shqipëri, por ende interesi është i madh për të ditur se cilat janë industritë ku Britania e Madhe ka më shumë potencial për të bashkëpunuar me bizneset në Shqipëri?
Sundimi i ligjit dhe paparashikueshmëria e klimës së biznesit janë ato që dekurajojnë investimet. Dhe nuk flas vetëm për paparashikueshmërinë e veprimeve të paligjshme, por edhe për paparashikueshmërinë e menaxhimit të taksave, të ardhurave e të tjera. Ajo që një biznesmen dëshiron gjithnjë është një mjedis i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm të cilën nuk e gjejnë gjithmonë këtu. Por ka një interes sistematik ndaj tregut shqiptar. Duhet të vini re interesin britanik në rajonin e Ballkanit ku fusha me potencial më të dukshëm është turizmi. Prandaj ka shumë investime në Mal të Zi dhe Greqi në sektorin e turizmit ku britanikët ka mjaft ekspertizë. Kjo mund të jetë potencialisht një burim për zhvillim. Për këtë, zgjidhja e çështjes së pronës mund të jetë pozitive në Shqipëri me qëllim rritjen e investimeve britanike. Përmenda Vodafone, gjithashtu kemi investime në burimet natyrore. Një kompani angleze po punon për zhvillimin e resortit të Gjirit të Lalëzit. Ne kemi kompaninë Shell për naftë në zonën e Beratit dhe interesi i tyre po vjen në rritje. Një kompani e rëndësishme britanike është pjesë e naftësjellësit të TransAdriatikut ku Britania posedon 20 për qind. Të gjitha këto do të sjellin potencial më të madh për investime në gaz dhe naftë. Aktualisht, po diskutohet shumë rreth Ballkanit Jugor sa i takon axhendës së ndërlidhjes, si dhe projekteve të infrastrukturës. Mendoj se Britania ka interes në këtë drejtim. shqip