Kjo gjendje ndikon negativisht tek perceptimi i qytetarëve dhe rrit shkallën e pasigurisë. Kështu vlerëson njohësi i çështjeve të sigurisë, Bejtush Gashi.
“Kjo mund të ndikojë edhe në perceptimin e qytetarëve për shkallën e sigurisë në nivelin jo të kënaqshëm, përkatësisht në rastet e tilla këto krijojnë imazh jo të mirë për sigurinë që duhet të ofrojnë institucionet përgjegjëse për sigurinë publike”, thotë ai.
Rastet e tilla, siç shpjegon ai, të cilat nuk arrijnë të parandalohen dhe zbulohen në kohë ndikojnë negativisht tek perceptimi i qytetarëve dhe rrisin shkallën e pasigurisë duke ia bashkëngjitur edhe pasigurisë së përgjithshme në rajon e më gjerë që aktualisht që është e pranishme.
Ai vlerëson së nuk është vetëm policia ajo që duhet të ndërmerret në parandalimin e këtyre rasteve, por se duhet të ketë edhe mekanizma të tjerë që trajtojnë këto situata.
“Vetëm policia nuk mund të bart barrën e presioneve nëse mund të themi të akteve që krijohen në një shoqëri por duhet të gjendet një mekanizëm që edhe policinë ta ndihmojnë institucionet tjera sikurse edhe qytetarët që në njëfarë mënyre të jenë participues në krijimin e një ambienti dhe klime të favorshme për të garantuar një siguri të përgjithshme”, thotë ndër tjerash profesori universitar, njohës i sigurisë, Bejtush Gashi.
Dje gjatë ditës, u raportua rasti i fundit për gjetje të mjetit shpërthyes në Zyrën e Administratës Pensionale të Kosovës ndodhet në oborrin e ish-pallatit të shtypit që sot shfrytëzohet nga Qeveria e Kosovës për ministri të ndryshme, në qendër të Kryeqytetit. Për rastin, ende s’ka të dyshuar.























