Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka treguar se si është pasuruar familja e tij, transmeton Koha.net.
Ai ka thënë se për mirëqenien e tij në masë të madhe e ndihmuan miqtë dhe bashkëkombësit e nderuar.
Haradinaj thotë se, “para luftës, familja në Gllogjan, baba im ka punuar në punë të shtetit. Në të njëjtën kohë jemi marrë edhe me blegtori. Kemi pasur tokë, bagëti edhe bjeshkë. Me grevën e përgjithshme baba im e ka humbur vendin e punës dhe unë më pastaj kam shkuar në Zvicër, ku i kam mbajtur edhe nga tri punë. Me punën time atje, kam mbërri ta përkrahë familjen time më tutje, kam mbërritur t’i përkrah djemtë e lirisë dhe kam mbërritur ta blejë një banesë në Tiranë, e cila ka qenë bazë e djemve të lirisë”.
Ndërsa pas luftës thotë se është ndihmuar shumë nga miqtë dhe bashkëkombasit.
“Familja jonë, pa asnjë kalkulim, iu kushtuam luftës dhe lirisë. Ne kishim mirëqenie para lufte por nuk kishim liri. Pas luftës kemi qenë të rrethuar nga shumë miq dhe shumë njerëz liridashës, të cilët na përkrahën si familje në Gllogjan, e të cilët po ashtu ndihmuan edhe në ndërtimin e shtëpisë në Prishtinë. Shtëpia është ndërtuar në vitin 2002, me pak buxhet familjarë dhe me shumë ndihmë nga miqtë, dhe bashkëkombasit tanë”, ka shkruar lideri i AAK-së.
Ndërsa ka shtuar se, “për të rikthyer kullën shqiptare dhe nderin e familjes sime, kam shitur dy prona, banesën në Tiranë dhe një tokë në Miradi, edhe aty na kanë ndihmuar familje të nderuara shqiptare. Sot kam mirëqenie, por unë nuk mburrem me këtë, sepse shtetin e kemi jo mire. Gjithë përkrahjen që i është bërë familjes sime dhe mua , do t’ia kthejmë vendit, duke punuar me nder”.















