Në këtë relacion përdoret si citim relacioni i ligjit që miratoi maxhoranca aktuale sapo erdhi në pushtet.
“Duhet thënë se edhe në relacionin shoqërues të ligjit nr. 156, datë 10.10.2013, ‘Për disa ndryshime në ligjin nr.10463, datë 22.09.2011, për menaxhimin e integruar të mbetjeve’, të ndryshuar, është cituar: amendamentet e propozuara do të jenë në formën e dispozitave tranzitore me afat jo më tepër se 2 vite nga miratimi, pasi synojmë që marrja e masave të nevojshme dhe mirorganizimi, bashkëpunimi me qeverisjen vendore do të sjellë efektet e synuara në miratimin e ligjit”, thekson relacioni i ligjit “Shalsi”.
Por, në relacionin që shoqëronte ligjin e menaxhimit të integruar të vitit 2013, një referencë e tillë nuk ekziston. Nuk dihet nëse fjalia e Shalsit në vitin 2016 zbardh një relacion të fshehtë të qeverisë në tetor 2013, apo është një “shtesë”, vetëm për të krijuar bindjen sot se ligji është OK. Sidoqoftë, veprimi i qeverisë sot tregon se ka pasur një lloj “pakti” me industrinë e riciklimit.
Nga ana tjetër, fjalia “amendamentet e propozuara do të jenë në formën e dispozitave tranzitore me afat jo më tepër se 2 vite nga miratimi” është qartësisht në sinkron me veprimin e qeverisë sot. Të vetmit që dalin të tradhtuar janë shoqëria civile, e cila kishte mbledhur firmat për referendum dhe këto firma u zhbënë nga veprimi i qeverisë në tetor 2013. Kjo e fundit, edhe pse trumbetoi ndalimin e importit të plehrave, në relacionin kishte parashikuar vetëm pezullimin 2vjeçar.
Në relacionin e tetorit 2013, argumentet që përdoren në këtë ligj janë për ndalim përfundimtar të procesit të mbetjeve, me qëllim nxitjen e riciklimit të mbetjeve vendëse. “Neni 49, ‘Importi i mbetjeve jo të rrezikshme’ bie në kundërshtim me qëllimin e ligjit, që, sipas parashikimit të nenit 1, është mbrojtja e mjedisit dhe shëndetit të njeriut nëpërmjet parandalimit ose pakësimit të ndikimeve negative nga gjenerimi dhe menaxhimi i mbetjeve.
Për këtë arsye, propozohet që në dispozitën ndaluese të importimit të mbetjeve, të parashikuar në nenin 48 të ligjit, të përcaktohet ndalimi, në të gjitha rastet, i importimit të mbetjeve jo të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë, duke shfuqizuar lejimin e importimit të këtyre mbetjeve për shkaqe të tjera, veç atyre me qëllim ruajtjeje apo asgjësimi”, thuhet në relacionin e ligjit të vitit 2013.






















