Kryeministri Edi Rama shpreh vendosmërinë e maxhorancës për të ecur në rrugën e reformave. Gjatë takimit të mbajtur sot paradite në Sarandë, në kuadër të turit të Partisë Socialiste “Të pastrojmë më tej Shqipërinë”, Rama tha se mungesa e reformave krijoi vatra korrupsioni në sektorë të ndryshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
“Të çojmë përpara me kurajë të madhe reformat që kemi ndërmarrë. Mungesa e reformave bëri që drejtoritë arsimore të ktheheshin në strofulla parash, spitalet në farmaci korrupsioni dhe sektorët e jetës sonë të kapeshin nga metastazat e kancerit të keqqeverisjes. Reformat e bëjnë shtetin të fortë”, tha Rama në fjalën e tij.
Kreu i qeverisë komentoi edhe protestën e opozitës, të cilën e cilësoi një përppjekje për revolucion, e nxitur nga tmerri i humbjes së privilegjeve.
“Sot kemi arritur në pikën që thonë na e kopjuat programin dhe s’kemi çfarë të bëjmë dhe po bëjmë revolucion. Po marrim shishet e benzinës, gurët dhe po turremi. Kjo është një përpjekje për të kthyer të shkuarën. Një përpjekje e nxitur nga tmerri i privilegjeve. Thanë humbëm si popull mirëqenien e dy viteve më parë. Domethënë ky popull dy vite më parë ishte i mirëqenë dhe sot duhet t’i vënë flakën gjithçkaje. Mirëqenien e tyre e quajnë të popullit. Por nuk është PD-ja problemi ynë, problemi ynë janë reformat”, tha Rama.
















