“Qeveria e dëgjoi me vëmendje shqetësimin e tyre dhe angazhoi një ekspertizë dhe sipas tyre patjetër që lidhet me zonën. Qeveria ndaloi injektimet e ujit teknologjik dhe tani presim konkluzionin përfundimtar të ekspertizës. Banorët kanë qenë të braktisur nga shteti, do të zgjidhim njëherë e mirë problemet. Qeveria po punon për të evidentuar të gjitha dëmet dhe invetari është në përfundim. Kemi folur me kompaninë dhe po punohet për dëmshpërblimin sa më parë”, u shpreh kryeministri Rama.
Më tej kryeministri Rama bëri fajtore për situatën në sektorin e naftës qeveritë e kaluara duke theksuar se më në fund po vendoset rregull.
“Qeveria po vendos rregull dhe shtet pas 25 vitesh anarki në sektorin e naftës”, u shpreh Rama ndërsa shtoi se “Përgjegjësit për atë që ka ndodhur në Zharrëz bëjnë sot avokatin e banorëve, por e kanë kot, se problemin nuk mund t’i zgjidhin ata që e kanë krijuar, por ne”.






















