Kryeministri Rama është shprehur se do të ketë më shumë mbështetje dhe kujdes të veçantë për fëmijët dhe familjet e policëve të vrarë. Ky premtim është dhënë gjatë një takimi me fëmijë e familjarë të policëve të rënë në krye të detyrës, si dhe ushtarakëve me mision jashtë vendit.
Në këtë takim ku të pranishëm ishin edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri dhe Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, Rama tha se qeveria do të bëjë gjithçka që fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës, qe të mos e ndiejnë mungesën e kujdesit prindëror.
“Jemi të vetëdijshëm se çfarëdo që të bëjmë, nuk e kompensojmë dot humbjen, por ne do të bëjmë gjithçka që këta fëmijë që kanë humbur prindërit, të mbështeten sa i takon shkollimit e studimit.
Sot me vendim të qeverisë, në Akademinë e Policisë, të gjithë fëmijët e policëve të vrarë, pranohen pa konkurs. Dhe nuk është shkelje e konkurrencës, po shprehje e bindjes se në këta fëmijë është trashëguar vlera të lartë e virtytet për shërbim”, tha Rama.
Duke folur për Rilindjen e policisë, kryeministri nënvizoi se qeveria ka trashëguar një situatë të vështirë financiare. “Na duhen 2-3 vjet kohë për të rritur rrogat e punonjësve të policisë.
Policët që dalin në pension të parakohshëm, do të përfitojnë 173 mijë lekë më shumë dhe ata që kanë 30 vjet punë, do të kenë një pension 400 mijë lekë”, përfundoi fjalën ai.















