Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kryeministri Edi Rama ka dekalruar se prioritet i qeverisjes së tij është anëtarësimi në BE.
“Integrimi prek çdo qelizë të arkitekturës sonë të zhvillimit. Është aftësia jonë për të bërë reformat e nevojshme që do të mundësojnë këtë proces. Reforma e drejtësisë që po zbatojmë është çelësi”,- ka deklaruar Rama. Nga ana tjetër, ka theksuar kreu i qeverisë, Shqipëria pret që partnerët europianë të hapin dyert për negociatat e anëtarësimit.
“Shpresojmë që BE, pavarësisht krizës aktuale, zgjerimin ta ketë prioritet. Aq sa Shqipëria ka nevojë për BE, aq edhe BE ka nevojë për një Ballkan më të zhvilluar e të qëndrueshëm”,- ka thënë Rama.
Rama ka nënvizuar se është e nevojshme që ndërkombëtarët t’i trajtojnë në mënyrë të barabartë të gjithë faktorët në rajonin e Ballkanit, përfshirë këtu Kosovën, e cila sipas tij ka nevojë të anëtarësohet në institucionet ndërkombëtare.
“Prandaj ne besojmë se anëtarësimi i Kosovës në organizmat ndërkombëtarë do t’i shërbejë stabilitetit. Shumë e kanë përdorur këtë foltore për të deklaruar se nga pavarësia e Kosovës do të lindin forca të errëta. Asgjë nga këto nuk ndodhi. Sot Ballkani perëndimor është shumë i mirë se 7 apo 10 vjet përpara. Pavarësia e Kosovës jo vetëm nuk çliroi asnjë forcë të errët, por solli stabilitet”,- ka shtuar Rama.
Ndër të tjera gjatë fjalimit të tij, kryeministri shqiptar ka folur për kërcënimet që i kanosen sot mbarë botës nga fenomenet e rrezikshme si terrorizmi dhe ekstremizmi.
“Rendi global është sfiduar seriozisht. Asnjë vend, sado i madh e i fuqishëm nuk mund të përballet me këto probleme i vetëm. Këto kriza kërkojnë një aksion të bashkërenduar. Disfata e ISIS në terren nuk do të thotë se ai do të zhduket përfundimisht”,- ka thënë Rama.
Duke theksuar se, Shqipëria ishte një prej vendeve të para që iu bashkua koalicionit ndërkombëtar, kryeministri ka shtuar se vendi ynë është i gatshëm t’i kryejë detyrat e tij në këtë drejtim.






















