Nga Arion Sulo
Dorëheqja e Nasip Naços, që siç e tha vetë, u bë për “t’i hapur rrugë bashkëpunimit të munguar në reformën për drejtësi”, dhe kundërpërgjigja e Ramës se “reforma s’lidhet me asnjë emër”, janë gjurmët që të çojnë në krye-arsyen e përplasjes pa kthim mes kryeministrit dhe kreut të Kuvendit; kontrolli i reformës në drejtësi.
Rama dhe Meta kanë disa muaj që bashkëqeverisin me thika pas shpine, por asnjë prej sherreve të tyre nuk duket se ka peshën e garës për të pasur kontroll mbi sistemin e nesërm të drejtësisë. Garë që rrezikon të ketë si fund të parakohshëm deri edhe zgjedhjet e parakohshme.
Stacionet e ndarjes nisin nga çështja Doshi-Frroku e deri tek skandali i CEZ. Në të dy rastet, Meta pa një film ku Rama, në mos skenaristi, ishte spektatori i kënaqur përballë pikiatës penale dhe publike të aleatit.
Në mes ishte sabotimi reciprok i zgjedhjeve lokale. Rama kuptoi se në 2017-n, me më shumë para dhe njerëz, ndarja më dysh e elektoratit të majtë do të ishte e keqja më e vogël.
Ekonomia në ngërç, anti-informaliteti me kryefjalë burgun dhe mungesa e rezultateve të prekshme nga reformat kanë qenë manteli politik që ka mbështjellë pakënaqësitë reale të Ilir Metës.
Dorëheqja e Naços nuk duket të jetë akti i fundit i përplasjes së tij me Ramën. Pas këmbënguljes për impulse të reja, ikjes së ministrit të Drejtësisë dhe shpresës së “Baba Takut” se qeveria do të ndryshojë më tej, nuk mund të lexohet gjë tjetër, veçse nëse Rama nuk e ka marrë mesazhin, atëherë çdo të hënë do të dorëhiqet nga një ministër.
Një presion i hapur për të hequr dorë nga çfarë? Nga çështja e CEZ? Jo, sepse prokuroria është në mes të hetimeve dhe s’duket se do të nxjerrë ndonjë gjemb për ta futur në këmbët e Metës.
Për qeverisjen e dobët dhe dorën e fortë kundër më të dobtëve në ekonomi? Edhe në qoftë ky shqetësimi i kryetarit të LSI, nuk mund të përligjë rrëzimin e pjesshëm të qeverisë, që po ndodh.
Për të treguar forcë dhe hakmarrje për soditjen e CEZ? Për ta bërë të dobët kryeministrin në sytë e opinionit publik, madje duke e vënë para faktit të kryer dhe duke i ulur në tryezën e qeverisë akuzuesin më të ashpër? Qëndron pjesërisht, por jo plotësisht. Sepse vetë LSI, një ditë më pas kërkoi dhe premtoi sërish impulse të reja, duke treguar se qejfmbetjet fshihen tjetërkund.
Çfarë ka akoma që e bën parodinë të vazhdojë, kur Rama u ul njëherë në gjunjë?
Për ta detyruar kryeministrin që të ndryshojë edhe ai ministrat e “pasuksesshëm”? Meta gjithmonë është shquar për respektim të pakteve. Ai s’mund t’i kërkojë Ramës atë që Rama nuk ia kërkoi në rastin e rrokadës Naço-Manjani.
E gjithë kjo seri përplasjesh dhe karikaturë e lojës politike që e bën të pamundur bashkëqeverisjen PS-LSI do të duhej të zgjidhej me zgjedhje të parakohshme. Një opsion ky që të dy aleatët-kundërshtarë e përdorin si shantazh, pa guxuar ta bëjnë realitet për shkak të pasigurisë elektorale për pushtetin e nesërm.
Të ngecur në këtë labirinth pushteti, në stilin ballkanik dhe në mungesë të kurajës dhe moralit, Rama dhe Meta mund ta gjenin një marrëveshje të re, duke i groposur të gjitha skandalet dhe sulmet e mësipërme.
Do të ishte një mballomë-pajtim, si ai me gjethe fiku i 1 prillit në Lalëz, por do të ishte.
Në mes është reforma për drejtësi, që nuk e lejon këtë pakt të ri. Rama nuk do ta ndajë atë me Metën dhe me asnjë tjetër. Edhe me çmimin e lartë të referendumit apo të zgjedhjeve të parakohshme.
Në mes është lufta dhe pazari për të ndarë influencat mbi drejtësinë. Fituesi i duelit është ai që do të emërojë instrumentat, që nesër do të drejtojnë hetimin dhe gjykimin në Shqipëri. Për të hetuar e gjykuar edhe kundërshtarët apo rivalët politikë.
Është kryeprokurori i ri, gjykatësit e rinj, super-komisionet që do të kontrollojnë gjykatësit, vendimet dhe pasuritë e tyre. Kush kap këta, ka kapur pushtetin.. dhe i vetëm madje.
















