Takimi një ditë para protestës. Prania e Zijadin Selës kontestohet nga kreu i PDSH-së
Flamujt – Flamuj të Shqipërisë, Maqedonisë, Turqisë ishin prezentë në këtë protestë, për të dhënë mesazhin se të gjitha etnitë protestojnë kundër qeverisë së VRMNO-DPMNE e Gruevksit
Kërkesa – Lideri i LSDM-së, Zaev, ka paraqitur kërkesën për dorëheqjen e Gruevskit nga posti i Kryeministrit, krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhje të parakohshme
Nisma e Kryeministrit Edi Rama për unifikimin e qëndrimit të partive shqiptare në Maqedoni pas ngjarjeve të Kumanonës, nuk rezulton e suksesshme. Kryeministri Rama, së bashku me kryeparlamentarin Ilir Meta dhe kryediplomatin Ditmir Bushati, gjatë qëndrimit në Pogradec, dy ditë më parë, kanë zhvilluar takim me disa prej drejtuesve kryesorë të faktorit politik shqiptar në Maqedoni. Rama takimin e ka bërë të ditur në një postim në rrjetin social “Facebook”, ku ka postuar disa fotografi me Ali Ahmetin, Menduh Thaçin dhe me kryetarin e Komunës së Strugës, Zijadin Sela, Vesel Memedin, Bilal Kasamin. Kryeministri shqiptar ka qenë i shoqëruar nga Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta, si dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Takimi, shkruajnë mediat, si Agjencia e Lajmeve Iliria në Maqedoni, komentohet se nuk e ka lënë të kënaqur Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në përpjekjen për bashkërendimin e veprimeve të partive shqiptare, për shkak të qëndrimeve të Ali Ahmetit. Ideja e ofruar nga Kryeministri Rama, është pranuar nga liderët e BESA-s, RDK-së dhe Lëvizja për Reforma në PDSH, por jo edhe nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. Pas refuzimit nga kreu i BDI-së, takimi ka rezultuar pa sukses. Nga ana e tij, Kryeministri, veç postimit të fotove, nuk ka bërë asnjë koment mbi këtë takim.
Në këtë takim informal i kanë ulur në të njëjtën tavolinë drejtuesit politikë të shqiptarëve në vendin fqinj. Mediat shqiptare në Maqedoni raportojnë se, atyre u është kërkuar mbajtja e një qëndrimi të unifikuar për përgjigjen ndaj situatës së krijuar atje, e veçanërisht pas ngjarjeve të rënda në lagjen e shqiptarëve në Kumanovë. Në to shkruhet se, këtij orientimi të Tiranës nuk i është përgjigjur kreu i BDI-së në qeveri me Gruevskin, Ali Ahmeti. Veçanërisht i vështirë bëhet një unifikim i drejtuesve politikë atje, kur flitet për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, që në ndryshim nga faktori shqiptar brenda dhe jashtë Maqedonisë, Ali Ahmeti, siç e ka thënë edhe publikisht, beson se ka pasur përparime. Ndërkaq, mediat shqiptare të Maqedonisë raportojnë gjithashtu se, një orë pas takimit, kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, është larguar. Më shumë sesa prania e Ali Ahmetit, thonë këto media, qëndrimi në këtë tryezë të përbashkët i Menduh Thaçit nuk ka qenë komod, për shkak të pranisë së kreut të Komunës së Strugës në të, pjesë e partisë së tij, që gjithashtu ka kërkuar reformimin e PDSH-së.
Mësohet se Tirana do të vijojë komunikimin intensiv me drejtuesit e partive shqiptare të Maqedonisë, komunikim që mesa shihet nuk është aq i thjeshtë me BDI-në, partinë në pushtet të shqiptarëve. Qëndrimi i ndërkombëtarëve në një sërë takimesh në Bruksel dhe Strasburg, si dhe rrjedha e ngjarjeve pas protestës së madhe të paralajmëruar nga opozita maqedonase, mesa duket do të jenë përcaktuese, jo vetëm për situatën brenda Maqedonisë, por edhe për raportin me krerët e partive politike shqiptare atje, veçanërisht asaj në qeveri, që shihet si me më shumë përgjegjësi. Pas ngjarjeve në Kumanovë janë rritur pakënaqësitë e shqiptarëve për përfaqësuesit e tyre atje, çka u tregua në reagimin ndaj vizitës së deputetëve të BDI-së në lagjen e shqiptarëve në Kumanovë. Përballë pakënaqësisë për përfaqësimin politik të shqiptarëve në Maqedoni, nuk kanë munguar zërat publikë në Tiranë, siç ishte ai i Ben Blushit në Parlament, për të mos legjitimuar më mbështetjen për drejtuesit aktualë të partive politike atje. “Ajo që ne mund të bëjmë padyshim si shtet apo si Parlament, është që të mbështesim ata që nuk mbështesin aktet jodemokratike në Republikën e Maqedonisë. Ne mund të mbështesim demokratët, mes shqiptarëve të Maqedonisë. Prandaj them që, ajo që mund të bëjmë është të mbështesim demokratët ndër shqiptarët e Maqedonisë, demokratët e vërtetë që mund të ketë atje dhe sigurisht që ka”, deklaroi Ben Blushi, deputet i PS-së. Nëse Ben Blushi është një zë më i lirë për të bërë të tilla artikulime, për zyrtarët e Tiranës, situata është më delikate dhe qëndrimet për situatën atje janë në një linjë me shtetet kryesore aleate dhe partnere të NATO-s. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në Samitin e fundit të NATO-s, kërkoi një hetim ndërkombëtar për ngjarjet në Kumanovë. Ndërsa qeveria shqiptare, nëpërmjet një deklarate zyrtare, kërkoi transparencë dhe hetim të plotë të ngjarjes ku vdiqën 18 persona. Qeveria e Shqipërisë i bën thirrje qeverisë dhe autoriteteve ligjzbatuese në Maqedoni që të mundësojnë dhe kryejnë një hetim të thellë, të shpejtë, të plotë e transparent, në funksion të së vërtetës dhe vetë stabilitetit të Maqedonisë e rajonit. Vetëm transparenca e thellë dhe e plotë, nëpërmjet paraqitjes së fakteve e provave të besueshme për qytetarët, do të shërbente në rikthimin e besimit në institucione dhe do të shmangte përsëritjen e këtij precedenti aq të padëshirueshëm nga popullata civile të një ngjarjeje të tillë. Qeveria e Shqipërisë e mirëkupton shprehjen e revoltës qytetare të shprehur përmes mjeteve të komunikimit, ndaj humbjes së jetëve njerëzore në kushte të një ankthi e paqartësie kaq të madhe. Por qeveria e Shqipërisë thekson me forcë po ashtu, se do të ishte e papranueshme humbja e drejtpeshimit në raport me këtë ngjarje dhe kurrsesi nuk duhet lejuar që kriza politike e Maqedonisë të konvertohet në një krize ndëretnike, e cila do të ishte shkatërrimtare për Maqedoninë. Republika e Shqipërisë bën thirrje për qetësi, vetëpërmbajtje dhe një zgjidhje të duhur të krizës në shërbim të qytetarëve dhe aq të domosdoshme në funksion të stabilitetit”, thuhet në deklaratën e disa ditëve më parë të Kryeministrit.















