Lulzim Basha nuk e bëri publik takimin e tij të djeshëm me Gunther Krichbaum, por fotografia miqësore nuk lë vend për shumë hamendësime. Kushtet e opozitës për hapjen e negociatave ishin pjesë e deklaratës së zotit Krichbaum, një qëndrim që kreu i opozitës e barazoi me atë të Bundestagut.
Sipas Lulzim Bashës, nga konferenca e tij doli një lajm i mirë dhe një lajm i keq. Lajmi i keq është “qëndrimi i Bundestagut gjerman kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë”, ndërsa lajmi i mirë është se “Gjermania mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”.
Lulzim Basha thotë se, “tani është koha të punojmë për të realizuar reformat e nevojshme, për të marrë vendimet e duhura që u shërbejnë shqiptarëve dhe jo për t’u hedhur hi syve qytetarëve dhe partnerëve tanë”.























