Kryeministri Edi Rama, dje në një intervistë në emisionin “Shqip”, kërkoi që hetimi për 21 janarin të ishte i plotë dhe i paanshëm dhe të zbardhte tërësisht të vërtetën e asaj dite, kur mbetën të vrarë katër demonstrues përballë dyerve të qeverisë. Ai e cilësoi ngjarjen si krim politik, ndërsa tha se Ministria e Brendshme, disa muaj më parë kishte kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme rihapjen e dosjes për 21 janarin, duke referuar pranë organit të procedurës fakte dhe të dhëna konkrete. Rama në intervistën e tij foli edhe për marrëdhëniet e tij me Presidentin e Republikës, kreun e opozitës etj.
Me 21 janarin, një nga temat më të ndjeshme. Dua t’ju bëj një pyetje që e ndesha sot nëgazetën Panorama. Ishte një shkrim i marrë prej BIRN dhe ka të bëjë me faktin që një natëpara përvjetorit të 4-t të 21 janarit, një përfaqësues i qeverisë ka negociuar deri vonë me avokatin e familjarëve të viktimave, gjë e pohuar nga avokati për BIRN-in, për të arritur njëmarrëveshje për dëmshpërblimin e jetëve të humbura gjatë protestës. Negociata ka vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes dhe ka dështuar, pasi qeveria ka refuzuar tëpaguajë 400 milionë lekë për familjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës.
Kjo është një tjetër idiotësi dhe i duhet vënë, në fakt, emri i duhur këtyre lloj idiotësive, sepse dihet fare mirë që qeveria nuk ka në dorë të përcaktojë një dëmshpërblim që e përcakton gjykata. Praktikisht, familjet e të vrarëve të 21 janarit, këtë kërkesë do ta çojnë përpara në rrugë gjyqësore. Pra, asnjëherë nuk kanë ardhur të kërkojnë prej nesh shifra të tilla, apo të pretendojnë prej nesh dëmshpërblimin që shtetit shqiptar i takon t’ua japë bazuar në një vendim gjykate.
Nuk ju kanë kërkuar juve dëmshpërblim asnjëherë as atë natë?
As që bëhet fjalë. Përkundrazi. E vetmja gjë që ata kërkojnë është drejtësia, ende sot e gjithë ditën e munguar për 21 janarin.
Por të tjerë kërkojnë edhe diçka tjetër, kërkojnë që familjarët të vënë lule kur ka përvjetor, ju të vini drejtësi…
Këtë e thoni ju, ata nuk ma kanë thënë. Përkundrazi, në të dyja herët që kemi pasur mundësinë dhe detyrimin ta bëjmë këtë ritual të kujtimit të asaj tragjedie, më shumë sesa mirë, që këtë gjë e kemi bërë sëbashku.
Ju e drejtoni atë zyrë tani, që dikur ishte kryeministër Sali Berisha. Kanë të drejtë shqiptarët të dinë se çfarë ndodhi atë ditë tamam në atë zyrë dhe dikush të marrë përgjegjësi, qoftë ku edhe ish- kryeministri Berisha?
Unë e kam thënë gjithmonë dhe e përsëris prapë; 21 janari është një krim politik, është një krim shtetëror dhe është një krim që historia tregon se nuk është e lehtë të zgjidhet në rrugën e drejtësisë, por është një nga ato krime për të cilët drejtësia vonon, por asnjëherë nuk harron. Ndjehem i neveritur nga komentet e hijenave që jetojnë me një formë vërtetë të ulët të të bërit propagandë apo të të bërit informacion, nëse mund të quhet informacion, që në këtë 21 janar i veshën padrejtësisht qeverisë sonë një mëkat që qeveria jonë nuk e ka; Të mëkatit që ne e kemi harruar 21 janarin, që nuk kemi bërë asgjë për 21 janarin, që ne nuk po zbardhim 21 janarin apo që jemi të penguar për zbardhjen e 21 janarit.
Ju nuk e keni harruar, por ju nuk keni bërë asgjë.
Kjo është e pavërtetë!
I keni dhënë pension dhe kaq.
Kjo është e pavërtetë! Se kjo është, fatkeqësisht, bota e deformuar e informacionit dhe unë këto gjëra i kam thënë kur kam qenë në opozitë, i kam thënë edhe më parë dhe nuk kam ndërmend të mos i them tani. Edhe pse tani, për shkak të detyrës, përpiqem të jemi i rezervuar në kritikën time ndaj kësaj bote të deformuar të informacionit. Muaj më parë Ministria e Brendshme i është drejtuar Prokurorisë me një kërkesë konkrete, bazuar në pretendime konkrete për të rihapur çështjen e 21 janarit. Kjo është ajo që ne kemi mundur të bëjmë deri sot. Sigurisht ne nuk jemi as prokuroria dhe as gjykata. Ajo çka mund të bëjmë ne është të këmbëngulim dhe të kërkojmë. Kemi gjetur një kënd për të bërë një hap përpara. Po punojmë edhe nga një kënd tjetër, për të angazhuar edhe një studio ndërkombëtare, çka nuk rezulton të jetë fortë e lehtë në kuadrin tonë legjislativ, por ne as kemi reshtur dhe as do të reshtim së kërkuari rihapjen e çështjes dhe gjykimin e saj në themel, për të nxjerrë të gjithë përgjegjësit lidhur me tragjedinë e 21 janarit.
E anashkaloni bisedën e 21 janarit me zotin Meta?
Ç’domethënë kjo?!
A flisni për 21 janarin?
Mund t’ju them, pa shtuar dhe hequr asnjë presje, se qëndrimi i Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë është ai të cilin e ka bërë publik qysh në orët e para të krijimit të kësaj aleance, se me patjetër drejtësia duhet ta zbardhë deri në fund 21 janarin dhe çdo fajtor i gjendur si i tillë përpara drejtësisë duhet të ndëshkohet. Është një përpjekje shumë e ulët për të ngatërruar atë çka është sot,- sot për sot, se unë jam i bindur se nesër nuk do të jetë kështu,- një pengesë objektive përpara nesh, që është ky sistem i drejtësisë, që kemi me Aleancën e PS me LSI, apo me bashkëpunimin tim me Ilir Metën. Gjë që për asnjë moment nuk ka qenë pengesë, përkundrazi!
Kur flisni për drejtësinë dhe për mundësinë që ajo të ndryshojë, njerëzit ngrenë duart përpara drejtësisë, e jo vetëm për faktin që duhet të paguajnë, por nuk e gjejnë dot kurrë tëdrejtën. Kryeministri gjithashtu kërkon të drejtën para drejtësisë. Duket se asgjë s’do tëarrihet vetë, do të arrihet në bashkëpunim me presidentin dhe në bashkëpunim me opozitën, e cila mungon. Vetëm sot në një intervistë të gjatë në gazetën Panorama zoti Nishani ishte shprehur për faktin që ju nuk bini dakord për asgjë, përveçse doni ta trajtoni si noter të qeverisë.
Unë e kam bërë një zotim; Unë nuk bëj komente për Presidentin e Republikës në publik. Dhe nëse Presidenti i Republikës zgjedh të bëjë komente të tilla, kjo është zgjedhja e tij, në këndvështrimin tim, e gabuar. Pasi nuk është në profilin e autoritetit të kreut të shtetit që të bëjë komente kësaj natyre. Por nga ana tjetër, ne kemi në këtë pikë një qëllim shumë të qartë; të hapim një faqe të re në historinë e marrëdhënie institucionale mes qeverisë dhe presidentit. Kemi pasur kapituj jashtëzakonisht të shëmtuar ku nga selia e qeverisë është qëlluar me baltë mbi figurën e presidentit, gjë që është tërësisht e pamundur të imagjinohet në një vend europian. Sot kemi hera- herës një president që qëllon qeverinë, herë me baltë, herë me pambuk. Por ne duam t’i japim fund kësaj kulture bashkëjetese dhe bashkëpunimi mes institucioneve. Nuk jemi të detyruar të jemi dakord për çdo gjë me Presidentin, por ndjejmë detyrën të jemi etik në një marrëdhënie që ka të bëjë me një institucion dhe me një figurë qendrore, kushtetuese të shtetit.
Institucion është edhe kreu i opozitës, pse nuk e prishni praktikën, kreu i opozitës rivaliështë armik. Asnjë shtrëngim dore me Lulzim Bashën.
Nuk më ka rënë rasti t’i jap dorën. S’do e kisha problem t’i jepja dorën. Por e përsëris, nuk ka të krahasuar raporti institucional dhe kushtetues me autoritetin e kreut të shtetit, me raportin me kryetarin e opozitës, apo mes kryetarit të opozitës dhe Kryeministrit. Janë gjëra të ndryshme.
(Botohet me shkurtime)
A e zbuluan gjermanët drogën në Elbasan?
Jo nuk e zbuluan ata. Ky është një tjetër mit i ulët, sepse vetëm në një vend ku opozita kujton se mund ta bëjë për budalla popullin dhe ku i ndihmuar nga media dhe nga gazetarë e analistë që i fryjnë zjarrit të këtij budallallëku, mund të ndodhë që një qeveri të akuzohet pse po kap drogën, që një qeveri të akuzohet si bashkëfajtore me trafikantët pse po i kap ata. Më lejoni t’ju them që edhe sikur të ishte e vërtetë që pjesë e atyre që kapen të jenë pjesë e familjes sonë politike, more të jenë dhe pjesë edhe e parlamentit tonë, unë do të isha dyfish krenar që kjo Qeveri dhe kjo Polici e Shtetit nuk bën dallime dhe nuk fal askënd dhe nuk shkon të kërcënojë dëshmitarët që të mos dalin dëshmitarë, siç ndodhte deri dje, por kush i del përpara ballafaqohet dhe sa herë që ia arrin i vë prangat.
















