Kryeministri Edi Rama tha: “Fakti që në Himarë jeton një pjesë e minoritetit grek nuk nënkupton asgjë tjetër përveçse detyrimin për të respektuar liri dhe të drejta individuale dhe kaq”!
Kryeministri Edi Rama “ia preu” hovin cilitdo që e quan Himarën minoritet dhe iu “përvesh” deputetit Vangjel Dule duke i përsëritur qëndrimin e qartë të Shqipërisë përputhas me angazhimet ndërkombëtare.
Kryeministri Rama tha qartësisht se Himara është shqiptare, pavarësisht se atje mund të jetojnë shtetas me kombësi greke, por që përkundër zotit Dule nuk i vendosi cilësimin “etnik” mbrapa:
“Dua t’i jap fund këtu një debati që zgjatet këtu prej 20 e ca vitesh pa llogaritur vitet përpara çlirimit lidhur e Himarën. Për mua dhe për ne Himara është njësoj si Tropoja, si Shkodra, si Dibra, si Kavaja dhe si të gjitha bashkitë e tjera që u krijuan bazuar mbi kriteret e zonës funksionale. Nuk ka asnjë specifikë tjetër! Dhe, fakti që në Himarë jeton një pjesë e minoritetit grek nuk nënkupton asgjë tjetër përveçse detyrimin për të respektuar liri dhe të drejta individuale dhe kaq”!
Zoti Rama foli në seancën e Kuvendit për ndarjen e re administrative dhe territoriale të Shqipërisë.
(vijon)
Fjala e kryeministrit Edi Rama për Himarën:
Nuk mund t’i shmangem edhe debatit që u hap lidhur me minoritetin. Edhe unë edhe i dashuri im Vangjel Dule kemi shumë respekt për Paskal Milon. Por, jam shumë i bindur që Paskal Milo ka më shumë respekt për Eqerem Çabejin se sa për vetveten kur vjen puna te disa çështje delikate që lidhen me historinë. Dua t’i jap fund këtu një debati që zgjatet këtu prej 20 e ca vitesh pa llogaritur vitet përpara çlirimit lidhur me Himarën.
Për mua dhe për ne Himara është njësoj si Tropoja, si Shkodra, si Dibra, si Kavaja dhe si të gjitha bashkitë e tjera që u krijuan bazuar mbi kriterin e zonës funksionale.
Nuk ka asnjë specifikë tjetër! Dhe, fakti që në Himarë jeton një pjesë e minoritetit grek nuk nënkupton asgjë tjetër përveçse detyrimin për të respektuar liri dhe të drejta individuale dhe kaq!
Por, meqë ka pasur shumë baracoleta ditët e fundit dhe meqë është bërë shumë folklor po rikthehem te Eqerem Çabeji, i cili në vitin 1936 punonte si inspektor në ministrinë e Arsimit.
Në atë kohë në Himarë pati ca telashe, të cilat historia thotë se nxiteshin çuditërisht nga një farë Bollano, Bollano. Në atë kohë. Dhe, i kërkonin ministrisë së Arsimit një shumëfishim të shkollave greke.
Dhe, ministri dërgon shkencëtarin e madh, inspektorin e arsimit për të vëzhguar gjendjen.
Në kthim Eqerem Çabej harton një promemorie ashtu siç mund ta hartonte Eqerem Çabej, integriteti intelektual i të cilit nuk është vënë në diskutim botërisht. Po shkëpus një copë (në dialektin zyrtar të kohës, geg. v.j.):
“Himara në tansin e saj ka qen dhe âsht nji krahin shqiptare ku sundojn dhe sot cilsit e rracës shqiptare mà fort se në disa krahina të tjera të shtetin tonë. Për origjinën shqiptare të tre katundeve të Himarës në fjalë, Himarë, Dhërmi e Palasë flasin qartaz zakonet krejt shqiptare labe të tyne.
Po për këtë origjinë flasin emnat e familjeve dhe të vendeve. Toponomanistika. Sidomos flasin kângët e vajtimet e tyne, të cilat jan shqip, zakonet ndër lindje, martesa e vdekje si dhe ndër festat e ndryshme të vjetit, të tri këto katunde e din mir vet fare mir shqiptarizmin e tyne dhe e kan deklarue me çdo rast këtë të vërtetë.
Ata e din se jan nji fis me lebnit e Vlonës dhe të Kurveleshit, me të cilt bâjn dhe sot krushqi megjith ndryshimin e fes.
Banort e Palasës kallxojn edhe sot se rrjedhin prej Dukatit t’Vlonës.
Banorët e lagjes “Gjilop” të Dhërmiut krenohen e thonë se rrjedhin prej Kruje dhe kan qen ushtar të Skënderbeut!
Të tri katundet e dinë edhe sot se kanë far’ e fisin e vet në Labëri, në Progonat, në Nivicë të Kurveleshit dhe në katundet Velç, Tragjas e të tjera të Vlonës”!
Ky është Eqerem Çabej në vitin 1936. Por, për ta larguar ende më tutje në histori dhe për t’i dhënë fund folklorit dhe barcoletave të javëve të fundit dua të sjell një fakt tjetër, të kryepleqve të vjetër, shumë të vjetër të Himarës, të cilët i janë drejtuar tri herë Papës së Romës për ndihmë.
Letra e parë është në vitin 1577 dhe e fundit në vitin 1720, ku himarjotët nënshkruajnë në një hartë gjithëpërfshirëse të Labërisë të fshatrave nën Vjosë, madje përfshirë Progonatin dhe disa katunde të Përmetit.
Letrat origjinale janë në arkivin e Vatikanit, por pasi dolën në dritë në vitin 1941 kanë mbetur në dritë dhe mund t’i referoheni edhe burimeve të botuara në shqip të pak viteve më parë.
Kështu që çështja e Himarës nuk është “çështje”.
Përveçse nëse përdoret siç është përdorur, nënkupto: “keqpërdorur” për vite të tëra.
Dhe, është ora për ta mbyllur përfundimisht këtë kapitull duke nënvizuar edhe njëherë tjetër që Himara është një nga 58 bashkitë e reja të ngritura mbi kriterin e zonës funksionale.
Që, do të thotë mbi kriterin që të garanton rritjen e mirëqenies dhe të garanton integrimin urban, ekonomik dhe social të të gjithë komunitetit.















