Këtij citimi të Ramës, mediat serbe i kanë dhënë hapësirë të madhe. Agjencia shtetërore serbe e lajmeve, Tanjug e ka lajm kryesor. “Rama citon Andriqin: Mos ketë luhatje ndërmjet frikës e shpresës”, shkruan Tanjug.
“Serbia duhet që me Italinë ta ndajë Shqipërinë dhe kështu të eliminojë qendrën tërheqëse për minoritetin arbanas (shqiptar) që ka një pretendime për Kosovën”, ka thënë Andriq më 1939, si diplomat, i cili në një referat për Qeverinë e Mbretërisë së Jugosllavisë ka propozuar “zgjidhjen” e çështjes së Kosovës.
Ndryshe nga veprimtaria letrare e tij, Novosti shkruan se aktiviteti i tij politik për dekada është shtyrë në qilim, ndërsa për qëndrimet e tij nacionaliste edhe sot, më 9 tetor, në 121 vjetorin e lindjes së tij, pakkush në Serbi dëshiron të flas!
Një prej këtyre “veprave” të tij është referati “Për çështjen arbanase”. Aty ai jep “zgjidhje” për “problemin e Kosovës”: shpërnguljen e shqiptarëve të besimit islam në Turqi, si dhe zgjerimin e shtetit serb deri në Shkodër. Ndonëse deklarohej me tezën “Ballkani – ballkanasve”, për ndarjen u pajtua pas takimit me ministrin e Jashtëm italian, në janar 1939, transmeton lajmi.net.
Nobelisti serb mendonte se me ndarjen e Shqipërisë edhe “pakica shqiptare në Kosovë do të asimilohej më lehtë”.
Ndarjen e Shqipërisë udhëheqjes jugosllave ia ka ofruar edhe Grofi Galeazzo Ciano. Mbreti i Jugosllavisë e ka refuzuar këtë plan me arsyetimin se “nuk na duhet asnjë shqiptar më shumë”, ndërsa kryeministri Milan Stojadinovic nga Andriqi, i cili kryente rolin e ministrit të Diplomacisë, kërkon analizë më të detajuar. Referati i Andriqit, i shkruar në janar 1939, ruhet në Arkivin e Serbisë, “Fondi i Milan Stojadinoviqit”, kutia 37.
Mu për këtë referat, ish presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, pas vdekjes së liderit të Jugosllavisë komuniste, Josip Broz Tito, si kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës ka kërkuar që të fshihen të gjitha veprat e Andriqit nga literatura në gjuhën shqipe.
Historiani serb, Dragan Petroviq, thotë se angazhimi politik i Andriqit është thumbues edhe sot, “sepse shkrimtari ishte patriot i madh serb, diçka për standardet e imponuara moderne politike nuk është e dëshirueshme”.
Skandali i madh i Ramës në Serbi: A e dinte kush është Andriq para se të citonte fjalët e tij?






















