Kryeministri Edi Rama e ka nisur me ca vargje poetike sot në Kuvend, replikën ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili i renditi akuzat për lidhjet me krimin, duke e anashkaluar “bombën” që i hodhi, deputeti i tij Blen Blushi, nga foltorja: Mesazhin kërcënues që i kishte dërguar kryebashkiaku Elvis Roshi, më i akuzuari nga opozita.
Rama replikoi me Berishën për drejtësinë dhe i solli në vëmendje një shkresë të Europolit për operacionin ku përfshihej dhe rasti Balili. Por, ai nuk harroi t’i ngulë një thumb Blushit në distancë dhe kjo qe e vetmja përgjigje për Blushin nëse mund të quhej përgjigje.
Kreu i Qeverisë recitoi për të ironizuar Berishën, vargjet e Shekspirit:
“O i shkretë i punëtuar
Jep e merr me këmbë e duar
Bam me këmbë e bam me duar
O i shkretë i punëtuar!” dhe në fund, fjalimin, e përfundoi po njesoj me vargje, por me të Ali Asllanit:
“Dhe zotrote kapardise
Di ç’kujton e di ç’pandeh.
Kundër njerëzve të vërtetë
Zë e vjell e zë e leh.
Berisha, në replikën që bëri me Ramën pas kësaj, posaçërisht për vargjet iu përgjigj: “Sot ke fol si këlysh i rrahur. Herën tjetër si këlysh i sëmurë. Je në rokullisje të pashpresë”.
REPLIKA E RAMES NDAJ BERISHES:
“Sali, unë kam atë pyetjen e mërzitshme: Reformën në drejtësi. Sali, do ta lejosh apo s’do ta lejosh PD të votojë reformën në drejtësi? Dhe mos shiko se çfarë shkruan qytetari dixhital se ua fute dhe të tjerëve këtë “mikrobin,” duke nënkuptuar sms-në e lexuar nga Blushi.
Sali, në fakt kjo pyetje është retorike mjaft të shohësh atë malin e betonit që iu dha leja nga kryetari në detyrë i partisë tënde për të kuptuar se pse ti je i painteresuar që gjyqtarët e këtij vendi të kalojnë në skanerin e reformës, pasurinë e tyre kur ke nxitur, një sistem të korruptuar që bën shërbime për ty personalisht, për njerëzit e tu personalisht, për tarafin tënd personalisht. Nje turp i pashoq. Një gjykatë e kapur me presh në duar që refuzon të zbatojë më minimalen, të marrë në konsideratë konfliktin e interesit dhe të marrë përsipër turpin më të madh.
Një mal betoni mbi digën që kërcënon jo parkun, por jetën e një lagjeje të tërë, i konsideruar i rrezikshëm nga një komitet shtetëror i specialistësh. Gjykata u detyrua të tërhiqet se sot doli një tjetër gjykatës, klient i kompanisë paditëse të shtetit.
Rama kaloi më tej në akuzat e opozitës ndaj tij për lidhjen me Klement Balilin, drejtorin e Transportit të konsideruar si Eskobari i Ballkanit. Ai i citoi Berishës një shkresë të Europolit ku flitej se Shqipëria kishte bashkëpunuar për arrestimin e rrjetit kriminal.
Ja shkresa e Europolit, – tha Rama – Në të thuhet: “Më 9 maj 2016, 17 individë – 11 grekë dhe 6 shqiptarë – nga një rrjet kriminal i organizuar, i përfshirë në një trafik të gjërë, u arrestuan në një operacion të koordinuar të agjensive ligjzbatuese të udhëhequr nga Greqia dhe të mbështetur nga Shqipëria, Belgjika dhe Europol.” Lexoje. Se po i mëson keq dhe kopjet e tua. Sali, ti nuk e do reformën në drejtësi!” theksoi Kryeministri.
Po ashtu, Rama, indirekt, pa e përmendur emrin e kryebashkiakut Xhelili dhe të skandalit të tij, tha: Vini këtu dhe numëroni ata që ne i kemi çuar para bankës së të akuzuarve apo i kemi sikterisur nga PS. Përgjegjësi e gjithkujt është individuale, nuk ka përgjegjësi kolektive. Flisni ju që keni mbajtur në detyrë Drejtorin e Tatimeve në arrest shtëpie e thoshe se “unë pres vendimin përfundimtar”. ”
Nëse është skandal që ne të përfshihemi në operacione kundër krimit të organizuar, ne do të vazhdojmë të bëjmë skandale!
Nëse është skandal që të mbajmë qëndrim të menjëhërëm ndaj dikush që shkel vijën, ne do të vazhdojmë të bëjmë skandal!
Nëse është skandal të bashkëpunojmë me partnerët, ne do të vazhdojmë të bëjmë skandale!
Nëse ju i quani këto skandale, ne i quajmë detyra!
Eja këtu dhe hape gojën për reformën në drejtësi!
E ngritët gjithë Shqipërinë në këmbë duke thënë se ju kanë përgjuar, ngritët një flluskë dhe që është ofendim edhe për ata që ju kanë votuar!
E në përfundim, do të të përgjigjem për një burrë të moshuar nga Vlora që ishte mërzitur se kishe sharë Ali Asllanin. E pyeta atë çfarë do doje ti t’i thoje. Dhe unë po të përgjigjem me vargjet e Ali Asllanit,” tha i përcolli Berishës, disa vargje, për të mbyllur fjalimin.















