Rama është zotuar se brenda këtij mandati qeverisës do të dëmshpërblejë të gjithë ish të përndjekurit politikë.
Drejtori i Pagesave të Dëmshpërblimeve në Ministrinë e Financave Erald Mihali, ka konfirmuar sot se deri në fund të këtij viti do të paguhen 15 milionë dollarë për 2276 ish të dënuar, përndjekur politikë dhe trashëgimtarët e tyre.
“Prioritetin e parë e kanë ish të dënuarat politike femra, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe hyrjes në fuqi të këtij ligj, vazhdon me ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç, në momentin e miratimit të këtij ligji, ish të dënuarit politikë të cilët vuajnë sëmundje të rënda, sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm, ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht moshës kanë pasardhës të radhës së parë, fëmijë, në moshë të mitur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ish të dënuar politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji si dhe ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshë edhe nën 75 vjeç, në momentin e miratimit të këtij ligji”,tha Mihali.
Me ardhjen në pushtet të socialistëve, ndryshoi edhe ligji për dëmshpërblimin e ish- të dënuarve politikë, duke i dhënë prioritet atyre që janë gjallë.















