Kryeministri Edi Rama thotë se shlyerja e borxheve të akumuluara gjatë qeverisjes së kaluar u ka hapur rrugën investimeve të qeverisë. Gjatë një takimi me temë “Për ekonominë lokale dhe jetën komunitare” në Berat, Rama tha se qeveria ka disa projekte që synojnë rimëkëmbjen e qyteteve.
“Nëse u referohemi në total projekteve, janë 365. Dhe duke përfshirë edhe vitin 2016 janë edhe investime të tjera, për rritjen e jetës në komunitete. Edhe tek ky program na u desh të shlyenim borxhe. Edhe faktikisht, nëse do të kishim qenë të detyruar të shlyenim borxhe, do kishit bërë edhe më shumë. E kemi rritur në mënyrë progresive mbështetjen financiare. Nëse nuk do të kishim shlyer 53 milionë dollarë borxhe, do kishim mundur të ndërtonim 50 shkolla e 70 çerdhe, por zgjodhëm të shlyenim borxhin. Kjo për të qenë ne të parë, pra qeveria, në rregull me detyrimet tona. Në periudhën 2012-2013 nuk u bë asgjë në asnjë qytet. Ju e mbani mend se çfarë katandie ishte këtu në parkun qendror të Beratit. Nëse në periudhat 2012-2013 nuk u dha asnjë financim për terrene sportive, ne sot kemi 47 të tilla. Ky nuk është një model i thjeshtë për të plotësuar nevojat, por është një model zhvillimi për jetën në komunitet”, tha ai.
Duke u ndalur në reformat e ndërmarra nga qeveria, si ajo kundër informalitetit, Rama tha se i mirëkupton biznesmenët që mund të jenë mërzitur në hapat e parë të saj.
“Unë kam marrë dozën e mallkimeve nga pronarët e këtyre dyqaneve dhe kam qenë i bindur se një ditë do të më falënderonin. Nga eksperienca ime në Bashkinë Tiranë nuk ua kam marrë me të keq, por jo vetëm që nga ato humbje do të fitonin më shumë se dje”, tha Rama.
















