Edhe kur i duhet të bëjë bilancin e 2014-ës, vit i qeverisur tërësisht prej tij, Edi Rama merret me demokratët. Akuzave ndaj ish-pushtetarëve për futjen në kolaps të sektorit energjitik, Kryeministri u shtoi edhe fyerjet.
Kryeministrit duket se i pëlqen të garojë me vendet e zhvilluara europiane. Me mburrje pohon se Shqipëria do kthehet në vendin në parë me 1.1 milionë matësa inteligjentë për energjinë e konsumuar.
Më pas akuzoi edhe njëherë tjetër demokratët se nuk kishin investuar në rrjetin e shpërndarjes gjatë viteve të qeverisjes së tyre.
I duhej ky justifikim për të mbrojtur Operatorin e Shpërndarjes nga pakënaqësia e qytetarëve që paguajnë cdo qindarkë deri në fund por shpesh mbeten pa energji, gjë që e kthen në të njëanshëm detyrimin kontraktor me OSHEE-në. Që të përmirësohet shërbimi duhen paguar fillimisht lekët, e justifikoi Rama operatorin e shpërndarjes, por pranoi se kjo do të lehtësonte edhe arkën e tij buxhetore.
Në lidhje me operacionin kundër vjedhjes së energjisë elektrike falënderoi edhe Prokurorinë ndërsa gjykatat i shigjetoi përsëri.
Vendosmërinë e shefit të tij e konfirmoi edhe ministri i Energjisë Gjiknuri.
Ndërsa ministri i Brendshëm Tahiri, i doli garant Qeverisë se nuk do të mungojë mbështetja policore.
















