Bajram Abazi ka mbetur pa gjysmën e punëtorëve të tij brenda më pak se një muaji, e kjo ka ardhur si pasojë e ikjes masive të kosovarëve.
“Deri më tani më kanë ikur 11 punëtorë ndërsa tani edhe një punëtor më ka thënë se do të ikë sonte”, thotë Abazi, pronar i fabrikës së ëmbëlsirave “Be Commerce” nga Vushtrria. “Po kthehet në kulturë kjo punë – të gjithë po ikin, të ikim edhe ne”, transmeton Koha.net.
Më shumë se 15 vjet pas bombardimeve të NATO-s në Kosovë, vendi po përjeton një ikje masive të qytetarëve të saj që po kalojnë ilegalisht përgjatë kufirit mes Serbisë dhe Hungarisë për të arritur kështu në shtetet anëtare të BE-së.
Shumica prej tyre po ikin nga varfëria, papunësia apo paga e ulët për në vendet e Evropës perëndimore. Paga mesatare mujore në sektorin privat në Kosovë është 230 euro. Më shumë se një e treta e fuqisë punëtore është e papunë.
Që nga shtatori, më shumë se 30 mijë qytetarë janë kapur në Hungari, në krahasim me vetëm 6 mijë sosh që janë regjistruar gjatë gjithë vitit 2013. Pothuajse të gjithë nga ta aplikojnë për azil, ndërsa kohën deri në procesim të aplikacioneve të tyre e shfrytëzojnë për të kaluar në Gjermani a Zvicër.
Vushtrria rrezikon të mbetet e shkretë. Popullsia e saj është zvogëluar për 7 për qind vetëm në muajt e fundit. Më shumë se 400 fëmijë mungojnë nga shkollat e qytetit, ndërsa në të gjithë Kosovën mungojnë 5 mijë sosh.
Të ndihmuar nga lehtësimi i procedurave të udhëtimit në Serbi, familjet udhëtojnë me autobus për 15 euro për person deri në Beograd, më pas sërish përmes autobusit deri në qytetin verior të Suboticës, nga ku marrin taksi deri në kufi apo edhe ecin më këmbë, përmes një kanali të mbushur me ujë e më pas disa kilometra përmes pyllit.
“Kjo është rruga drejt Evropës”, thotë Zoltan Salinger, një polic kufitar hungarez 23-vjeç. “Kam folur me policët e moshuar kufitar; më kanë thënë, më 1998, në total janë kapur 34 migrantë. Tani kemi nga 500-600 çdo ditë”, transmeton Koha.net.
“Ato dy dërrasa që i shihni përgjatë kanalit”, thotë ai, “tregojnë kufirin e Schengenit”.
Në kufi, meshkujt heqin këpucët dhe pantallonat dhe ecin përmes kanalit të mbushur me ujë me thellësi deri në një metër, ndërsa fëmijët i mbajnë sipër. Ecja deri në qytetin më të afërt është 10 km, përmes pyllit dhe të reshurave të borës që nisën të premten pasdite.
Një i zyrtar i lartë i afërt me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, ka thënë të premten se “portat e Hungarisë duhet të mbyllen” për imigrantët ekonomikë.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, qëndroi po sot në Vushtrri për të kërkuar nga qytetarët të mos ikin.
“Nuk duhet të ikni; duhet të rrini me ne këtu dhe të gjejmë zgjidhje”, ka thënë Jahjaga para një turme njerëzish.
Një person aty i tha, “Sonte do të shkoj në Hungari”. Një tjetër i tha: “Zonja Presidente! Gjema një vend pune dhe do të qëndroj në Kosovë”, transmeton Koha.net.
Emigrantët, duke folur për agjencinë e lajmeve “Reuters”, kanë thënë se kontrabanduesit kanë gjetur rrugë të sigurta përgjatë kufirit, ndërsa “llafet” e kanë nxitur eksodin.
“Nëse një person shkon, të gjithë mendojnë se mund të ketë diçka atje, dhe në këtë mënyrë duhet të shkojnë edhe ata”, thotë kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku. Ai thotë se 5,000 qytetarë nga 70 mijë banorët e komunës që ai drejton janë larguar brenda muajve të fundit, ndërsa vala më e madhe e ikjeve erdhi 20 ditët e fundit.
Gazmend Xhema, 28-vjeç, thotë se ai, së bashku me bashkëshorten dhe të bijën e tyre tre-vjeçe, i kanë nxjerrë biletat për të martën mbrëma në një prej së paku 10 autobusëve që nisen çdo natë për në Beograd.
“Kam vendosur të shkoj tani për shkak se është më e lehtë”, ka thënë ai. Kur të mbërrij në Hungari, thotë ai, “Do t’u them: ‘Më vrisni, vetëm mos më ktheni më në Kosovë, sepse s’ka gjë atje”.















