Sezoni turistik veror tashmë ka filluar, ndërkohë qytetarët kërkojnë aranzhmanet e përballueshme për pushime verore. Destinacionet më të preferuara dhe më të kërkuara në agjencitë turistike nga ana e qytetarëve të Ballkanit, ashtu si viteve të kaluara, edhe këtë vit mbeten plazhet e Turqisë, Greqisë dhe Shqipërisë.
Po ashtu edhe agjencitë turistike tashmë kanë filluar me promovimin e destinacioneve të ndryshme, nga ato luksoze deri në ato të thjeshtat. Përfaqësuesit e agjencive turistike nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova për Anadolu Agency (AA) shpjegojnë se shumica e qytetarëve kërkojnë aranzhmane All-Inclusive, ndërsa pjesa më e vogël kërkojnë të akomodohen në apartmente private.
Greqia dhe Turqia vazhdojnë të mbeten destinacione të preferuara të shqiptarëve
Shtetasit e Shqipërisë vazhdojnë te kenë si destinacione të preferuara turistike Turqinë, Greqinë, si dhe pikat e ndryshme turistike në rajon, në Maqedoni apo Malin e Zi.





















