Organizata “Germin“ që merret me çështje të diasporës tërheq vërejtjen se edhe rreth 500 votues kosovarë në disporë nuk janë përfshirë në listen e votuesve për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.
Sipas kësaj organizate, kjo ka ndodhur për shkak të gabimeve teknike.
“Problemi ka qenë se procesi i verifikimit përmes telefonit ia ka marrë krejt fokusin sekretariatit të KQZ-së dhe ka ndikuar që shumë njerëz të përjashtohen nga lista për shkak të gabimeve teknike. Aty është harxhuar e tërë energjia, gjë që ka ndikuar që proceset tjera të zhvillohen me probleme”, tha Lirim Krasniqi nga “Germin“.
Sipas tij, edhe PZAP-ja ka luajtur rol çorientues në procesin e ankimimit të aplikuesve për votim nga diaspora.
“Lista u publikua shumë vonë, ndërkaq PZAP-ja na kishte refuzuar edhe neve një kërkesë zyrtare, që të paktën ankesat të pranohen përmes e-mailit. PZAP-i e ka nxjerrë një njoftim edhe në mediat sociale se nuk i pranon ankesat me e-mail, por çuditërisht PZAP-ja i ka pranuar si valide edhe ato ankesa që janë dërguar përmes e-mail-it”, shtoi Krasniqi.
Por, në PZAP thonë se i kanë shqyrtuar të gjitha ankesat, përfshirë edhe ato që kanë arritur përmes e-mail-it brenda afatit prej 24 orësh.
Në total, përmes e-mail-it, kanë arritur 1.116 ankesa, por sipas zyrtarëve të PZAP-së, vetëm 281 e-mail-a kanë qenë të kompletuar me dokumentacionin përkatës.
“PZAP-i i ka pranuar si të bazuara 144 apele dhe ka vendosur që ta urdhërojë KQZ-në që këta votues t’i përfshijë në listën e votuesve jashtë Kosovës për të votuar, ndërsa 124 apele i ka refuzuar si të pabazuara, pasi parashtruesit e apelit nuk kanë ofruar dëshmi të mjaftueshme. Ndërsa 13 apele i ka hedhur si të parregullta. PZAP-i i ka miratuar si të bazuara edhe dy apele që kanë arritur përmes postës”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Mulë Desku, kryesues i sekretariatit të PZAP-it.
Ai nuk i ka komentuar arsyet e ndryshimit të vendimit të PZAP-it për pranimin e ankesave përmes e-mail-it.
Në KQZ kanë arritur mbi 175 mijë aplikime përmes e-mail-it për votim në zgjedhjet e 14 shkurtit.
KQZ i ka miratuar kërkesat e 103.582 aplikuesve, të cilët janë përfshirë në listen e votuese.
Rreth 28 mijë aplikacione janë refuzuar.



















