Gjatë intervistës së dhënë për Top Story mbrëmjen e së enjtes, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës për tërheqjen nga terreni të asaj që njihet si “policia gri”.
Vendimi për pezullimin e veprimtarisë së ushtrimit të kontrollit në rrugë nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe strukturat në varësi të saj, është marrë paraditen e së premtes nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.
Pezullimi i veprimtarisë së kontrollit në rrugë do të bëhet deri në ristrukturimin e këtij institucioni dhe miratimin e ndryshimeve të nevojshme të Rregullores së Zbatimit të Kodit Rrugor.
Ushtrimi i kontrollit në vende të papërshtatshme paraqet rrezikshmëri, jo vetëm për jetën dhe shëndetin e drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë në rrugë, por edhe për atë të kontrollorëve të rrugëve.
Gjithashtu, kontrolli ka shpesh mbivendosje me kontrollin e ushtruar nga organet e tjera, siç janë shërbimet e Policisë Rrugore dhe organet tatimore, duke sjellë shqetësime dhe pengesa në punën e operatorëve të transportit, deri në abuzime ndaj tyre dhe shkelje të sigurisë rrugore.
Ndërkohë është bërë publik vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili ka vendosur që t’i japë një zyrë ish-Presidentit Nishani.
Në fakt, edhe më herët, ish-presidentëve Alfred Moisiut dhe Rexhep Meidanit u është dhënë nga një zyrë.
VENDIM PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E ARSIMIT, SPORTIT DHE RINISË, PËR AGJENCINË KOMBËTARE TË KËRKIMIT SHKENCOR DHE INOVACIONIT (AKKSHI), TE DREJTORIA E SHËRBIMEVE QEVERITARE, TË PRONËS SË PALUAJTSHME SHTETËRORE, APARTAMENTET NR.15, NR.16, NR.17, NR.18, TË NDODHURA NË GODINËN NR.57, NË BULEVARDIN “ZOGU I”, TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 901 e vijues të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), te Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, të pronës së paluajtshme shtetërore, apartamentet nr.15, nr.16, nr.17, nr.18, të ndodhura në godinën nr.57, në bulevardin “Zogu I”, Tiranë, sipas planimetrive bashkëlidhur këtij vendimi, për t’ua dhënë në përdorim dhe pa shpërblim, si mjedise pune, ish-presidentëve të Republikës së Shqipërisë.
- Pronat e përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, shtohen në listën e inventarit të pronave të paluajtshme të DSHQ-së, miratuar me vendimin nr.1058, datë 16.7.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar
- Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.























